Efektivi 25-vjeçar vrau kolegun, si nisi sherri brenda në Komisariat? (VIDEO)

Të tjera detaje dalin nga ngjarja e rëndë e mbrëmjes së sotme në komisariatin nr.3 në Tiranë, ku si pasojë mbeti i vrarë efektivi i policisë Çaush Saliasi.

Mësohet se sherri mes 25-vjeçarit Ludian Zaimi gjithashtu efektiv policie dhe 55-vjeçarit ka nisur për aryse banale të cilat kanë kulmuar rreth orës 21:00, kur edhe u raportua ngjarja.

Ngjarja ka ndodhur gjatë zhvillimit të instruktazhi të patrullës të përgjithshme.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 23.05.2022, rreth orës 21:20, në rrugën “Mine Peza”, në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në rrethana ende të paqarta, punonjësi i Policisë, shtetasi L.Z., ka plagosur me armë zjarri shtetasin Ç.S., të dy me detyrë oficerë të Patrullës së Përgjithshme.

Si pasojë e plagëve të marra,  punonjësi i Policisë Ç.S. ka ndërruar jetë në spital.

Grupi hetimor nën drejtimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Prokurorisë së Tiranës, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Autori i dyshuar është ndaluar dhe po kryhen të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Në ambientet e Komisariatit nr. 3 kanë shkuar një grup i posaçëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, përfshirë ekspertë të Drejtorisë së Standardeve Profesionale dhe nga Departamenti i Rendit dhe Sigurisë Publike.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore do të ketë një njoftim më të plotë për media./albeu.com