Ministria e Shëndetësisë hedh poshtë pretendimet se uji në Kosovë është kancerogjen
Gazeta italiane ‘Il fatto quotidiano’ gjatë ditës së djeshme ka botuar një tekst në të cilin ajo shkruan se uji i pijshëm në Kosovë është kacerogjen.

Kjo e përditshme shkruan se kontingjenti italian me mision në Kosovë të paktën deri më 2016 ka pirë ujë kancerogjen.

Mjeku ushtarak, Ennio Lettieri, thotë se “Uji i analizuar më 2015 përmbante bromat, kancerogjen i klasës 2B, në sasi prej 65/97 mikrogramë-litër.

Ndërkohë pavarësisht kësaj Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShP), thotë se cilësia e ujit në Kosovë është brenda standardeve të parapara me rregulloret për cilësinë e ujit për pije.

Zyrtarë nga IKShP, deklarojnë se ky Institut pas shkrimit të publikuar ku hidhen dyshime për cilësinë e ujit në Kosovë thotë se ka bërë analiza.

“Bazuar në rezultatet e monitorimit të ujit për pije, të bëra sot më 6 korrik 2017, të dhënat laboratorike për parametrat kimik rezultojnë brenda standardeve të parapara me rregulloret për cilësinë e ujit për pije, sipas Udhëzimit Administrativ 16/2012”, thuhet në njoftimin që IKShP u ka dërguar mediave, shkruan express.

Nga kontingjenti i KFOR’it italian në Kosovë deklarojnë se kanë hequr nga përdorimi ujin natyror ‘DEA’.

“Mes pasojave të bromatit është edhe dëmtimi i veshkave. Ndoshta është koincidencë, por gjatë qëndrimit tim atje kishim rastin e një mareshali të karabinierëve me dëmtim veshkor akut”, ka thënë mjeku ushtarak, Ennio Lettieri për të përditshmen italiane.

Ky është njoftimi i plotë i IKShP-së.

Në bazë të parametrave të analizuar, uji nga ujësjellësi është i pijshëm, brenda standardeve të parapara me rregulloret për cilësinë e ujit për pije, UA 16/2012.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShP) i siguron qytetarët e Kosovës se ky Institut ka kontrolle të përhershme të cilësisë së ujit për pije si nga sistemet qendrore të furnizimit, ashtu dhe uji i ambalazhuar dhe nuk ka vend për shqetësim.

Situata epidemiologjike është në kontrollë të vazhdueshme nga ekipet e Institutit Kombëtar.

IKSHPK do të vazhdojë me monitorimin e cilësisë së ujit për pije sipas kompetencave ligjore në fuqi me përgjegjësi të lartë profesionale, duke kërkuar nga organet relevante të avancojë dhe zgjerojë me prioritet spektrin e analizave laboratorike të ujit, ajrit dhe ushqimit.
Shtuar më 06/07/2017, ora 14:16
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori