Ministria e Financave pa ministër
Janë bërë më shumë se tre muaj që kur Ministria e Financave vazhdon të jetë pa ministër. Kjo Ministri, që është ndër kryesoret në Qeverinë e Kosovës, udhëhiqet nga zëvendësministri Ramadan Avdiu. Bedri Hamza, tani Guvernator në Bankën Qendrore të Kosovës, ka dhënë dorëheqje nga posti i MinistritFinancave, më 14 janar të këtij viti. Zyrtarët e Qeverisë në vazhdimësi kanë thënë së emërimi i ministrit të ri do të bëhet shumë shpejt.

Zëvendësministri i Financave, Ramadan Avdiu, duket se është gjendur mirë në detyrën e të parit të kësaj ministrie, pas largimit të Bedri Hamzës. Kjo për faktin, se tash e më shumë se tre muaj, Qeveria e Kosovës nuk ka marrë mundimin të mendojë për emërimin e ministrit të ri në sektorin e financave.

I kontaktuar nga Radio Kosova, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka qenë i shkurtë, duke thënë përmes mesazhit telefonik se nuk ka asnjë informatë. Sidoqoftë, javë më parë Kuçi ka shprehur besimin e Qeverisë për Avdiun.

“Ajo Ministri po e kryen funksionin e vetë. Zoti Avdiu si zëvendësministër tanimë i ngarkuar po e kryen punën dhe aktivitetin e vetë”, ka thënë Kuçi.

Nga opozita, mosemërimi i MinistritFinancave, shihet si papërgjegjësi totale e Qeverisë. Anëtari i kryesisë së AAK-së, Haki Shatri, i cili ishte Ministër i Ekonomisë dhe Financave vite më parë, thotë se kjo tregon joseriozitetin e kësaj Qeverie sa i përket menaxhimit me financat publike dhe me stabilitetin buxhetor dhe financiar në Kosovë.

“Vetëm nëse shohim raportin e tremujorit dhe e shohim që parametrat që janë paraqitur në raport, janë parametra shqetësues për shkelje të dispozitave të buxhetit në këtë tremujor, tregon qartë çka do të thotë të jetë vakat vendi i MinistritFinancave për 3-4 muaj”, ka thënë Shatri.
Sipas Shatrit, në këtë mënyrë edhe Kosova po del joserioze karshi institucione ndërkombëtare, sidomos atyre financiare sikur që janë FMN-ja dhe Banka Botërore.

“Nuk është e mundur që brenda në Kosovë, partia në pushtet nuk ka mundur ta gjejë një person të përshtatshëm për katër muaj ta vendos në pozitën e MinistritFinancave. Është shumë e çuditshme, joserioze karshi institucioneve ndërkombëtare”, tha ai.

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj, e cila vjen nga radhët e PDK-së, konsideron se mungesa e ministrit reflekton në punën e Ministrisë. Ajo thotë se kjo mungesë nuk është vërejtur në punën e Komisionit, pasi që zëvendësministri Avdiu ka raportuar për të gjitha çështjet.

Megjithatë, sipas Hadërgjonajt, tani kur duhet të shqyrtohet raporti financiar dhe Korniza Afatmesme e Shpenzimeve, mungesa e ministrit nuk mund të arsyetohet.

“Domosdo duhet të jetë Ministri pasi që bën një rikapitullim të punës së të gjitha ministrive dhe institucioneve të cilat përfshihen në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve dhe mungesa e ministrit nuk mund të arsyetohet më tutje meqenëse punët janë në vlugun më të madh, prandaj edhe duhet të jetë ministri aty”, tha Hadërgjonaj për Radio Kosovën.

Eksperti i ekonomisë, ish ministri Haki Shatri kritikon mënyrën e menaxhimit të Ministrisë së Financave gjatë kësaj periudhe, duke thënë se janë rritur shpenzimet e panevojshme buxhetore, të hyrat janë nën planifikimin, shpenzimet për tremujor janë mbi planifikim, përderisa nuk e përjashton edhe mundësinë e mospërfilljes së zëvendësministrit nga organizatat buxhetore, duke e pasur parasysh se ai është personi i dytë në këtë ministri. /albeu.com/
Shtuar më 01/05/2013, ora 12:56

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori