Ministria e Drejtësisë: Britanikët do të hetojnë "Rastin Dehari"
Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Dhurata Hoxha, ka bërë me dije se britanikët ende nuk kanë dhënë një përgjigje për kërkesën e Kosovës që policia "Scotland Yard" të bëjnë një hetim të ndarë lidhur me vdekjen e anëtarit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari.

Por, cila është baza ligjore nëse angazhohen hetues nga Britania për të hetuar vdekjen e Deharit?

Ministrja e Drejtësisë jep përgjigje.
"Ndërsa sa i përket bazës ligjore: Ligji nr. 04/L-213 për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Çështjet Penale, neni 98, lejon themelimin e njësive të përbashkëta të hetimit.

Ftesa e dërguar te pala britanike është bërë bashkërisht nga Ministria e Drejtësisë dhe e Prokurorit të Shtetit, i cili, në bashkërendim me Ministrinë e Drejtësisë, ka kompetencë për bashkëpunim ndërkombëtar sipas nenit 9 të Ligjit 03/L-225 për Prokurorin e Shtetit", ka deklaruar Ministrja Hoxha.

Dhurata Hoxha kishte bërë kërkesë britanikëve që të përfshihen në hetim të pavarur, kredibli lidhur me vdekjen e Astrit Deharit dhe të nxjerrin të vërtetën e vdekjes së 26 vjeçarit.

Astrit Dehari kishte ndërruar jetë gjatë transportimit prej paraburgimit për në Spitalin e Prizrenit ku ishte duke u mbajtur si i dyshuar për sulm terrorist ndaj Parlamentit.

Rezultatet e autopsisë të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë kanë konstatuar se Dehari kishte vdekur nga lëndimet e vetshkaktuara.

Kryeprokurori i Prizrenit ka konstatuar se anëtari i Vetëvendosjes bëri vetëvrasje, por, ende nuk janë sqaruar motivet. Askush s’është arrestuar apo akuzuar se ka shtyrë Deharin në vetëvrasje.

Lëvizja Vetëvendosje ka kontestuar gjetjet e Mjekësisë Ligjore dhe kanë dhënë versionin e tyre. Kanë thënë se Astrit Dehari është vrarë duke drejtuar gishtin kah Shteti.

As Vetëvendosje s’ka përmendur emra konkret se kush qëndron pas vdekjes së Deharit. Përmes vdekjes së Deharit, Partia e Visar Ymerit ka kërkuar rrëzimin e Qeverisë dhe dorëheqjen e udhëheqësve shtetëror. /albeu.com/
Shtuar më 20/11/2016, ora 12:23

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori