Basha për Metën, Ramën dhe Berishën: Tre njerëz që nuk i ndahen karriges së pushtetit

Kreu demokrat Lulzim Basha ka sulmuar nga Korça, atë që ai e quan “Trekëndëshin e Bermundës”, presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe ish-kryeministrin Sali Berisha.

Basha tha se janë tre njerëz që nuk i ndahen karriges së pushtetit.

“Ky është vendi për ta thënë, nga Korça e qytetarësisë, e ndjej mençurinë dhe kulturën e civilizimit korçar, të cilit i thurin këngë dhe vargje, por me të cilin jemi në borxh dhe kemi bërë dhe ne si demokratë gabime.

Ky është vendi për ta thënë, se të gjitha vijnë si pasojë e shpërfytyrimit të politikës. Një politikë që ka humbur ndjeshmërinë ndaj njerëzve. Shikoni si flasin me gjuhë të shfrenuar 3 njerëz që nuk i ndahen në 31 vite karriges së pushtetit. Janë kthyer në tre aktorë në një film, tragjikomedi, por në fakt është më tepër dramë për familjen shqiptare. Përse bëhet i gjithë ky teatër? Për të maskuar një tjetër dramë të madhe kombëtare që është produkt i politikës që ka humbur fytyrën njerëzore, që janë institucionet e kapura. Nuk takojnë më njerëz. Sa prej jush nuk e dinë ku të qajnë hallin? Jemi kthyer si në mesjetë. Politikë pa fytyrë njerëzore, sepse institucionet janë kalbëzuar”, tha Basha./albeu.com


Shtuar 26.01.2022 18:07