Papunësia bie në nivelet më të ulëta të regjistruar ndonjëherë, efekti nga burrat, por rritet te gratë dhe të rinjtë

Papunësia në vend ka rënë në nivelet më të ulëta të tre dekadave të fundit. Sipas INSTAT,  në tremujorin e dytë 2022, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 11,1 %.

Niveli i papunësisë u ul me 1,1 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2021, dhe është ulur me 1,0 %, krahasuar me tremujorin e mëparshëm, raportoi INSTAT.

Shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,5 pikë përqindje në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2021, dhe u ul me 0,2 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2022.

Shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 10,7 % dhe për gratë 11,4 %. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2021, shkalla e papunësisë është ulur me 1,1 pikë përqindje për burrat dhe është rritur me 0,1 pikë përqindje për gratë.

Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç është 20,2 %. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2021, shkalla e papunësisë për të rinjtë, në tremujorin e dytë 2022, është rritur me 0,3 pikë përqindje.

Krahasuar me tremujorin e parë 2022, ky tregues është ulur me 0,5 pikë përqindje. Shkalla e papunësisë për grup-moshën 30-64 vjeç është 8,7 %. Në terma vjetorë ky tregues është ulur me 0,8 pikë përqindje, ndërsa krahasuar me tremujorin e mëparshëm është ulur me 0,1 pikë përqindje.

Shkalla e papunësisë për grup-moshën 30-64 vjeç është 8,7 %. Në terma vjetorë ky tregues është ulur me 0,8 pikë përqindje, ndërsa krahasuar me tremujorin e mëparshëm është ulur me 0,1 pikë përqindje.

Punësimi 

Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2022, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 64,4 %.

Ritmi vjetor i ndryshimit të punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i dytë i vitit 2021 në tremujorin e dytë 2022, është +4.1 %. Në terma vjetorë, punësimi rritet me 7,1 % në sektorin e industrisë, me 2,0 % në sektorin e shërbimeve, dhe me 4,9 % në sektorin e bujqësisë.

Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e dytë 2022, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u rrit me 1,7 %. Punësimi u rrit me 1,6 % në sektorin e industrisë , me 2,3 % në sektorin e bujqësisë, dhe me 1,4 % në sektorin e shërbimeve.

Shkalla e punësimit për burrat e grupmoshës 15-64 vjeç është 70,9 %, ndërsa për gratë është 58,2 %.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2021, shkalla e punësimit është rritur për burrat me 3,1 pikë përqindje, ndërsa për gratë është rritur me 4,5 pikë përqindje. Shkalla e punësimit të të rinjve është 44,1 %.

Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e dytë 2022, shkalla e punësimit është 74.1 %.

Rritet pjesëmarrja në forcat e punës 

Në tremujorin e dytë 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15-64 vjeç, është 72,8 %. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2021, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 3,8 pikë përqindje më e lartë, ndërkohë që krahasuar me tremujorin e mëparshëm është rritur me 0,8 pikë përqindje.

Për gratë, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 66,1 %, ndërsa për burrat ky tregues është 79,8 %. Për burrat, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 13,7 pikë përqindje më e lartë sesa për gratë. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2021, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për gratë është rritur me 5,2 pikë përqindje, ndërsa për burrat është rritur 2,5 pikë përqindje.

Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 55,3 %. Ky tregues është rritur me 3,4 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2021, dhe me 0,1 pikë përqindje në krahasim me tremujorin e parë 2022. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e dytë 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 81,2 %.

Popullsia ekonomikisht jo-aktive 

Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2022, 17,7 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive dhe në moshë pune (15-64 vjeç) ishin duke përmbushur detyrat shtëpiake, 8,0 % e saj ishte në pension ose pension të parakohshëm, ndërsa 11,8 % në paaftësi të përhershme.

Gjatë tremujorit të dytë 2022, 10,5 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive (në grup-moshën 15-64 vjeç) deklaruan se nuk po kërkonin punë pasi besonin se nuk ka punë të disponueshme, pra klasifikohen si të papunë të dekurajuar.

Të rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan se janë nxënës/studentë ose në trajnim përbëjnë 68,2 % të të rinjve ekonomikisht jo-aktivë. Ndër të rinjtë e moshës 15-29 vjeç ekonomikisht jo-aktivë, 6,2 % klasifikohen si të papunë të dekurajuar. Në popullsinë e moshës 30-64 vjeç, ky grup përbën 15,4% të popullsisë ekonomikisht jo-aktive të kësaj grup-moshe./Monitor