Ministri i PDK-së i thotë "JO" Ramush Haradinajt
Pëlqej
Ministri i Financave, Bedri Hamza nuk ka pranuar të marrë pagën me rritje dhe retroaktive.

Këshilltari i tij, Lulzim Rafuna, ka thënë për Kohën se shefi i tij së bashku me këshilltarët kanë refuzuar të marrin pagën me rritje për të cilën vendosi kryeministri Ramush Haradinaj.

I pyetur nëse ministria ka forcë ligjore për të penguar rritjen e pagave të qeverisë, Rafuna ka thënë se kjo gjë nuk mund të bëhet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në mbledhjen e qeverisë të mbajtur javën e kaluar, duke konsideruar qëndrimin e Kushtetueses mbi rritjen e pagave, ministri i Financave, Hamza, nuk votoi vendimin për rritje pagash me sugjerimin që të pritej miratimi i Ligjit për pagat në mbështetje të cilit do të harmonizohej rritja e pagave të zyrtarëve të lartë.

Gjykata Kushtetuese ka thënë se vendimi për rritjen e pagave nuk bie ndesh me Kushtetutën.

Qeveria më 20 dhjetor të vitit 2017 kishte marrë vendim për rritjen e pagave për kryeministrin, zëvendëskryeministrat, ministrat dhe pjesën tjetër të kabinetit qeveritar. Haradinajt nga 1443 euro paga iu dyfishua në 2950 euro.

Asokohe, Haradinaj rritjen e pagave e arsyetonte jo vetëm përse e kishte më të vogël se drejtuesit e disa agjencive të pavarura, por edhe si nevojë për të blerë kravata.
Shtuar më 22/06/2018, ora 12:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori