Ministri Hoxhaj takime pune në Paris
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, të martën dhe të mërkurën, do të qëndrojë në një vizitë zyrtare në Republikën e Francës.

Gjatë qëndrimit dyditësh në Paris, Hoxhaj do të ketë takime me përfaqësues të lartë të shtetit francez, do të marrë pjesë në disa aktivitete të institucioneve shtetërore franceze dhe do të zhvillojë takime me përfaqësues të shoqërisë civile, bëhet e ditur në një komunikatë të MPJ-së.

Ministri Hoxhaj do të zhvillojë një takim të veçantë edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Republikës së Francës, Alain Juppé.

Po ashtu, ai do të marrë pjesë në një takim të Komisionit për Punë të Jashtme të Asamblesë Nacionale të Francës, si dhe do të takohet me ambasadorë të shteteve të tjera, të akredituar në Republikën e Francës dhe në UNESCO.

Hoxhaj do të marrë pjesë edhe në një Konferencë të Institutit Francez për Marrëdhënie Ndërkombëtare (IFRI). /Zëri/
Shtuar më 30/05/2011, ora 15:54

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori