Ministri Çollaku: Liberalizimi i vizave nuk ka qenë kurrë më afër
Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Ministrave i BE-së kanë njoftuar se nuk do të marrin vendim për heqjen e liberalizimit të vizave për Kosovën deri në vjeshtën e këtij viti.

Kështu u raportua dje në media, dhe mesa duket pezullimi i vendimit për Turqinë do të ndikojë që ky proces të shtyhet për pak muaj edhe për Kosovën, përderisa javën e ardhshme do të diskutohet vetëm për Gjeorgjinë, transmeton Indeksonline.

Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku ka deklaruar se liberalizimi i vizave për Kosovës është propozim i ndarë dhe se nuk pret që të ndërlidhet apo ndikohet me propozime për vendet tjera.

Ai gjithashtu ka theksuar se meqë Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e vëna, lajmi i mirë për përfundimin e procesit për heqjen përfundimisht të vizave për qytetarët e vendit nuk do të vonoj shumë.
“Së pari, dialogu i liberalizimit të vizave mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian është i bazuar në kritere dhe rregulla të qarta të vendimmarrjes. Duke qenë që Kosova ka bërë maksimumin në përmbushjen e të gjitha kritereve teknike të procesit, dhe një gjë e tillë është konfirmuar nga vetë Komisioni Evropian, nuk presim ndonjë befasi por presim që ky proces të përmbyllet pa vonesa”, ka deklaruar Çollaku.
Ai po ashtu tha se Kosova është më afër se kurrë liberalizimit të vizave dhe se ky proces do të përmbyllet më së largu në pjesën e dytë të vitit.

“Sidoqoftë, tani që jemi shumë afër duhet të mos humbim durimin. Është evidente për të gjithë që ne rastin me te keq, procesi do të përmbyllet më së largu në pjesën e dytë të këtij viti. Prandaj, konsideroj që nuk ka nevojë të hyjmë ne debat për atë se a do të bëhet këtë javë apo tjetrën sepse dinamika përcaktohet nga institucionet e BE-se te përfshira në këtë proces. Unë rikonfirmoj atë çfarë kam deklaruar gjithmonë, që vizat do të hiqen dhe qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen gjatë këtij viti”, ka theksuar ministri Çollaku.

Ai ka theksuar se nuk duhet harruar fakti që Komisioni Evropian tashmë e ka bërë rekomandimin për ndryshimin e rregullores dhe heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Për këtë arsye, siç ka thënë ai, është çështje tjetër se sa shpejtë mund të kaloj nëpër zinxhirin e vendimmarrjes në Këshillin dhe në Parlamentin e BE-së.

“Institucionet e Republikës së Kosovës po punojnë drejt adresimit të vazhdueshëm të obligimeve dhe përgjegjësive nga ky proces, por edhe jemi duke punuar me Komisionin, Parlamentin dhe Këshillin e BE-së, në mënyrë që procesi te përmbyllet sa më shpejtë, duke i respektuar dhe marrë parasysh të gjitha faktorët relevant të palëve të përfshira në dialogun për liberalizimin vizave”, ka thënë tutje Collaku, shkruan Telegraf.

Ai ka theksuar se është e vërtetë që shtetet anëtare janë shumë të kujdesshme sa i përket ndikimeve potenciale negative në aspekt të migrimit, dhe prandaj në BE tani po zhvillohet edhe një debat rreth një propozimi për mekanizmin suspendues të cilin do të mund ta përdornin në rast të keqpërdorimeve nga qytetarët e cilitdo shtet të cilit i janë liberalizuar vizat./Albeu.com/
Shtuar më 02/06/2016, ora 16:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori