Ministri Bajrami letër për udhëheqësit e Universitetit të Prishtinës
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, u ka dërguar një letër/kërkesë përfaqësuesve udhëheqës të Universitetit të Prishtinës. Përmes kësaj letre ministri kërkon
zbatimin e parimeve dhe standardeve më të larta të transparencës në punën e organeve të Universitetit.

Ja letra e plotë:

PËR: Dr. sc. Shefkije ISLAMAJ, Kryesuese e Këshillit Drejtues
Universiteti i Prishtinës "Hasan Prishtina"

E nderuara kryesuese, dr. Islamaj

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka pranuar ankesa dhe shqetësime nga gazetarë të medieve të shkruara/elektronike dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave ndërkombëtarë në Kosovë, për mos zbatimin e parimeve dhe standardeve të transparencës në ushtrimin e veprimtarisë së Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina".

Universiteti i Prishtinës "Hasan Prishtina", si institucioni autonom më i madh publik i arsimit të lartë në Republikën e Kosovës, që merr fonde publike, duhet të siguroj zbatimin e parimeve dhe standardeve më të larta të transparencës, përgjegjësisë dhe udhëheqjes në ushtrimin e veprimtarisë së saj.

Detyrimi për zbatimin e parimeve dhe standardeve më të larta të transparencës në punën e organeve të Universitetit, përbën obligim ligjor të përcaktuar me dispozitat e Ligjit nr. 04/L037 për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës dhe Ligjin nr. 02/L-28 për Procedurën Administrative.

Dispozitat e Ligji nr. 02/L-28 për Procedurën Administrative duhet aplikohen nga të gjitha organet e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” duke pasur parasysh që universitetit iu është dhënë e drejta për të ushtruar detyra dhe kompetenca me rëndësi publike dhe veprimtaria e tyre prek interesa publike.

Dispozitat e nenit 9 (Parimi i Publicitetit) të Ligjit nr. 02/L-28 për Procedurën Administrative, përcaktojnë detyrimin e institucioneve publike për të ushtruar veprimtarinë në mënyrë transparente dhe të drejtën procedurale e çdo personi fizik dhe juridik, që të marr informacionin që është në zotërim të institucionit publik, në kohë të arsyeshme, në të njëjtën mënyrë si për çdo person tjetër dhe me mjete të përshtatshme dhe efektive. Për refuzimin e qasjes në informacion, organi i institucionit publike duhet merr vendim me shkrim, i cili vendim duhet të përmbajë arsyet e vendimit, në përputhje me Ligjin.

Sa më sipër, si udhëheqëse e organit kryesor qeverisës të Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina", që ka për detyrë primare kujdesin për çështjet e zbatimit të ligjit, të standardeve më të larta të transparencës, përgjegjësisë dhe udhëheqjes në ushtrimin e veprimtarisë së organeve të Universitetit, ju lutemi të merrni të gjitha masat adekuate, në përputhje me ligjin, për të siguruar qasjen dhe pjesëmarrjen e medieve të shkruara/elektronike dhe përfaqësuesve të organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare, në mbledhjet e Këshillit Drejtues dhe në veprimtarinë e organeve tjera të Universitetit. /albeu.com/

Shtuar më 16/10/2015, ora 16:37
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori