Shqiptarët në shesh për çmimet, opozita bëhet pjesë e protestës: Do të jemi edhe ne! (FOTO LAJM)

Ditën e sotme në orën 17:00 do të zhvillohet një protestë para Kryeministrisë kundër rritjes së çmimeve në vend.

Kjo protestë e iniciuar nga vetë qytetarët, po shpërndahet me shpejtësi në rrjetet sociale dhe pjesëmarrja pritet të jetë e lartë.

Deputeti i Partisë Demokratike Bujar Leskaj ka bërë me dije se edhe Opozita do t’i bashkohet protestës që do të mbahet pasditen e sotme në orën 17:00 kundër rritjes së çmimeve.

Në një postim në rrjetet sociale, Leskaj shkruan se opozita duhet të jetë pa asnjë hezitim në shesh me shqiptarët në protesta, pasi rritja e çmimeve kërcënon që t’i fusë në një varfërim të frikshëm qytetarët.

Postimi i plotë:

Sot, në orën 17.00 edhe unë do t’i bashkohem protestës qytetare përpara kryeministrisë, selisë qendrore të sektit Rama.

I falenderoj organizatorët, shoqërinë civile dhe studentët dhe ju ftoj të bashkohemi të gjithë në protestën kundër pabarazisë, varfërisë së skajshme, korrupsionit, skandaleve e arrogancës së këtij sekti qeverisës, që nuk ndalet përpara asgjëje dhe shet e plaçkit pasurinë e përbashkët, shet interesin kombëtar, duke vënë partinë mbi Shqipërinë, duke vënë pasurimin personal mbi Shqipërinë e shqiptarët.

Opozita duhet të jetë pa asnjë hezitim në shesh me shqiptarët në protesta kundër rritjes galopante të çmimeve, shtrenjtimit të jetesës, kërcënimit për varfërim të frikshëm të shqiptarëve.

Çdo protestë kundër vjedhjes, plaçkitjes, varfërisë është e ligjshme!Është thirrje për të reaguar kundër sektit Rama që ka kapur për gryke Shqipërinë e po u merr frymën shqiptarëve.

Shqiptarët nuk mund të pajtohen e as të gënjehen nga deklaratat e “liderit global”, delirantit Rama për një krizë globale dhe të kenë durim e besim tek ai që “do t’i shpëtojë!”Ndaj duhet të jemi të gjithë atje në shesh me të gjithë ata shqiptarë që kanë zë, kurajo e qytetari të protestojnë. Me prindërit, të rinjtë e të rejat, me intelektualët! /albeu.com/

 


Shtuar 6.10.2021 12:31