Milaim Zeka jep detaje nga intervistimi i Sami Lushtakut
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Nismas Socialdemokrate, Milaim Zeka, ka thënë se Prokuroria Speciale deri tani nuk posedon ndonjë dëshmi që do ta rëndonte për krime, Sami Lushtakun, ish-Komandant i Zonës operative të Drenicës në luftën e fundit në Kosovë.
Zeka duke qenë shoqërues i Lushtakut për në rrugëtimin e tij për në Hagë, në Info Magazine ka thënë se ky i fundit nuk ka pasur ndonjë shqetësim sa i përket akuzave për të cilat pretendohej, por ka thënë se të vetmin shqetësim e pati për padrejtësinë që po iu bëhet eprorëve të UÇK-së qysh nga procesi në EULEX.

”Ai iu është përgjigjur pyetjeve të prokurorit. Tani në rrugë e sipër është qëndrimi i prokurorëve se çfarë vendimi mund të marrin në të ardhmen. Prokuroria Speciale deri në këtë moment që po flasim nuk ka asnjë dëshmi, apo rrethanë rënduese që do ta rëndonte Sami Lushtakun për krimet e luftës apo të pasluftës”.

Duke folur për pyetjet e prokurorit, deputeti i Nismës ka thënë se Lushtaku është përgjigjur në të gjitha pyetjet. Sipas tij, Lushtaku nuk ka ndonjë shqetësim në lidhje me intervistimin e tij nga Specialja.

”As në Kosovë nuk është vërejtur ndonjë shqetësim i Sami Lushtakut, e as gjatë qëndrimit në Stuttgart e as në Holandë. Nuk është që ka qëndruar veçmas, e gjithë ekipa që kemi qenë me të e ka shoqëruar por ai s’ka pasur ndonjë hall të tillë.I vetmi shqetësim që e ka munduar është padrejtësia që i ka shkaktuar EULEX-i e deri tani kjo Specialja”.

”Sonte do të jemi në Gjermani ku gjenerali do të takojë bashkëatdhetarë dhe familjarë të tij. Neve pak na ka zhgënjyer si deputet të Parlamentit të Kosovës, interesimi i pakët i mediave specifikisht i Radio Televizionit të Kosovës, pasi pati media nga Serbia”, ka treguar Zeka.

Ndryshe veç Lushtakut, intervistimin nga Specialja e ka përfunduar edhe Rrustem Mustafa


Shtuar më 16/01/2019, ora 19:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori