Jep dorëheqjen Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Rifat Latifi

Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi konfirmoi të enjten për Zërin e Amerikës se ka dhënë dorëheqjen nga ky post, por nuk dha hollësi të mëtejshme.

I emëruar në muajin nëntor të vitit të kaluar, doktor Rifat Latifi është kirurg shqiptaro-amerikan me prejardhje nga Kosova, ndërsa është i njohur për arritjet e tij në fushën e mjekësisë dhe tele-mjekësisë.

Mediat lokale në Kosovë publikuan letrën e dorëheqjes së ministrit Latifi drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ku shprehet:“me zhgënjim të thellë dhe keqardhje pas shumë reflektimesh për disa muajt e fundit, po ju informojë se në mënyrë efektive ju ofroj dorëheqjen time nga posti i ministrit të Shëndetësisë së Republikës së Kosovës që nga sot me datën 6 tetor, 2022”.

Ministri Rifat Latifi është kritikuar për mungesë të rezultateve në sektorin e shëndetësisë.

Më 14 shtator, qeveria e Kosovës themeloi Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti dhe ka për qëllim bashkërendimin e politikave dhe përmirësimin e shërbimeve në shëndetësi, që mbetët një nga sektorët me gjendjen më të rëndë për shkak të mungesës së investimeve dhe largimit të mjekëve nga Kosova.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku përmes faqes së tij në Facebook kritikoi qeverinë për mungesë të rezultateve në sektorin e shëndetësisë. “Një vit e gjysmë qeveri, në pritje të ministrit të 3-të në shëndetësi. Vetëm 5% investime kapitale të realizuara sivjet. Fajet? 20 vjet? Paaftësi e papërgjegjësi!”, shkroi zoti Abdixhiku.

Kjo është dorëheqja e dytë e një ministri të shëndetësisë në qeverinë e kryeministrit Albin Kurti. Më 1 tetor të vitit të kaluar ish ministri Arben Vitia dha dorëheqje nga posti i ministrit të shëndetësisë për të kandiduar në zgjedhje lokale për kryetar të komunës së Prishtinës.