Mësimi fillon të hënën por mund të ndërpritet
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka paralajmëruar ndërprerje të procesit mësimor nëse kërkesat e tyre për rritje të pagave nuk plotësohen nga Qeveria e Kosovës.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari për Indeksonline konfirmon se gjysmë-vjetori i dytë do të fillojë në mënyrë të rregullt ditën e hënë, deri në një përgjigje të mësimdhënësve të cilëve u është dërguar formulari për aprovim të shkuarjes në grevë.

“Mësimdhënësit dhe nxënësit do të nisin gjysmë-vjetorin e dytë, për faktin se nuk dëshirojmë të ju japim argument të tjerëve të na thonë se ne po bëjmë veprime sindikale që të ju zgjatet pushimi. Por, tek mbas formularëve të kthyera nga terreni me përgjigje të mësimdhënësve, do të vendos Bashkësia Sindikale”, është shprehur Jashari.

Kërkesa e SBASHK-ut e paraqitur në formular është rritja e pagës prej 4 për qind të pagës së kryeministrit.

Jashari ka thënë se për këtë ata do të bëjnë veprime të koordinuara nga kryesia ekzekutive e sindikatës.

“Sa i takon pagave ne në kuadër të SBASHK-ut do të kemi angazhim të përbashkët për të ndryshuar propozimin e Qeverisë. Ndërsa kërkesat tjera të SBASHK-ut besojmë se do të realizohen, fjalën e kam për projektligjin për statusin e mësimdhënësve të viteve 90-ta. Kemi biseduar me Qeverinë, ky projektligj do të shkoj në parlament”, ka deklaruar Jashari.

Ai shpreson që kjo çështje të zgjidhet në mënyrë që të mos shkohet deri të greva e arsimtarëve.
Shtuar më 11/01/2018, ora 08:19

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori