Komentatoret e sportit të zhveshura në ekrane, Açka: U duhet të mbijetojnë (FOTO LAJM)

Shkrimtarja Flutura Açka përmes një publikimi në rrjetet sociale ka trajtuar fenomenin e zhveshjes në ekran, kryesisht nga vajzat që trajtojnë emisione sportive.

Duke vënë në dukje faktin që këto lloj programesh kryesisht i drejtohen gjinisë mashkullore, Açka e trajton si një fenomen social zhveshjen në ekrane. Jo pa ironi, shkrimtarja vë në dukje se një sjellje e tillë nuk vihet re në ekranet në Holandë ku ajo jeton prej vitesh, ndërsa shprehet se veshje të tilla do të ishin më të përshtatshme për mbrēmjet e diskotekave a plazheve.

Publikimi i plotë i Açkës:

Vajzat e kujt sporti?

Të jetë kjo zhveshje në programe kryesisht të dedikuar për burra – programet e sportit në tv shqiptare – një zgjedhje e tyre? Apo e shefave të tyre? Vajzat e sportit, i drejtojnë këto programe, besoj unë, sepse e njohin fushën e tyre, jo që të jenë objekt për t’ua kujtuar lukunisë, ndonjëherë shumë të uritur të burrave, se çfarë u mungon. Dhe të zgjuar nga adrenalina e lojës, hedhin sytë te e bija, tek e shoqja, të fqinja, te sekretarja, dhe përdhunimi iu duket sport i tyre.

Në njëzet vite në Holandē, nuk më ka zënë syri kurrë, komentatore sporti të zhveshura kështu, madje asnje grua të zhveshur telelevizioni. E kuptoj, këtyre vajzave të mira, u duhet të mbijetojnë në këto ekrane të egra në këto forma, ndryshe do ta pësojnë si ca mikeshat e mia që nuk duken më andejpari ekraneve se janë “plakur”.

Por unë do t’u lutesha që t’i ruanin këto fustane për mbrēmjet e diskotekat a plazheve të shumtë, sepse kështu mbrojnë disi nga strabikët mentalë mikeshat e tyre të heshtura pas ekraneve. Ua kam hequr fytyrat vajzave, sepse nuk e kam personale me to – mund të jenë plot të tjera që nuk m’i ka zënë syri – por e kam me ethet e pështira të ekraneve, që ma kujtojnë mua të parës, dhe ne grave shqiptare ku jemi e ku s’jemi, se çfarë është femra. Mua, që kam shkruar libra për lirinë, mes të tjerash, për lirinë dhe emancipimin e gruas shqiptare

P.S Ndjesë për shembujt e fotove që mora, ato në fakt ishin më të pafajshmet dhe që i gjeta më lehtë, çështja është te thelbi i shqetësimit.


Shtuar 22.06.2020 14:13