Menaxherë qendrash votimi dhe jo drejtorë shkollash
Pëlqej
Në Kosovë është politizuar edhe emërimi i drejtorëve në sektorin parauniversitar. Kështu shprehen udhëheqës të Sindikatës së arsimit dhe ekspertë për çështje të kësaj fushe, duke shtuar se kriter për zgjedhjen e drejtorëve, është afërsia me partinë që udhëheq komunën. Siç shkruan "Evropa e Lirë", kreu i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, Ali Shabani, thotë se emërimi i drejtorëve të shkollave në baza partiake dhe pa kritere, është bërë i zakonshëm në këtë sektor.

“Nëpër komuna, kryesisht drejtorë të shkollave emërohen militantë të partive”,-thotë Shabani. Edhe Dukagjin Pupovci, nga Qendra për Arsim e Kosovës, pohon se nuk merret për bazë aftësia profesionale e kandidatit potencial, por prioritet në konkurse mbetet dëgjueshmëria dhe përfaqësimi i interesave të partisë në pushtetin lokal. Ai, madje, shprehet se shpeshherë drejtorët e shkollave emërohen me idenë se ata do të jenë menaxherë të qendrave të votimit dhe jo menaxherë të një institucioni edukativo- arsimor.

Shabani thotë se ka kërkuar nga autoritetet kompetente që kjo dukuri të parandalohet. “Ne kemi kërkuar disa herë që politika të jetë larg shkollës, sepse shkolla do profesionalizëm dhe jo politikë, por fatkeqësisht një gjë e tillë ekziston sot. Aktualisht, ka shumë ushtrues detyre të drejtorëve dhe pritet 3 nëntori të dëshmojnë veten ata në zgjedhjet lokale, ose të ndodhë e kundërta”,-thekson ai. Udhëheqës të Ministrisë së Arsimit, theksojnë se nuk mund të përjashtohen raste të tilla, por që ankesa për këtë çështje, nuk arrijnë në Ministri të Arsimit.

Në bazë të Ligjit për arsimin parauniversitar në Republikën e Kosovës, drejtorët dhe zëvendësdrejtorët e institucioneve arsimore, mësimdhënësit, asistentët dhe instruktorët, zgjidhen përmes një konkursi publik në bazë të meritës personale, pa asnjë lloj diskriminimi të drejtpërdrejtë apo të tërthortë për arsye reale apo të supozuara që ka lidhje me gjininë, racën, gjendjen martesore, orientimin seksual, përkatësinë etnike, nevojat e veçanta, pasurinë, vendin e lindjes, pikëpamjet politike ose filozofike apo rrethanat e tjera./albeu.com/
Shtuar më 06/10/2013, ora 13:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori