Mëkatet e Hashimit nuk i lan as Papa Françesku
Pëlqej
nga Lavdrim Lita

Mediat kanë raportuar se Papa nuk pranoi që z. Hashim Thaçi të jetë pjesë e takimeve në Tiranë. Në pamje të parë, kjo mund të duket si një përpjekje hileqare e kryeministrit në detyrë, z. Hashim Thaçi, për të ndërkombëtarizuar problemin e brendshëm politik të Kosovës me një shtrëngim duash me papa Françeskun në Tiranë.

Mirëpo, me siguri sekretarët e shtetit të Vatikanit dhe jo Papa, që është institucioni më i vjetër në botë që bën politikë në Oksident, e kanë parë të pamundur të ndryshojnë agjendën protokollare të përcaktuar më parë në prag të vizitës. Për institucionin më të vjetër protokollar në Europë ndryshimi i agjendës në mes të zhvillimeve është një ndërhyrje e papranueshme.

Kryeministri Thaçi i njohur për ndryshimet e rregullave në mes të lojës, ndoshta ka provuar të bëjë një hile ballkanike. “Hileja” e fundit e kryeministrit, Hashim Thaçi, ka qenë edhe futja e procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, e mandej të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në një proces “vietnamizimi” përmes vendimit orakullor të Gjykatës Kushtetuese.

As orakulli i Dodonës nuk do të ishte më i dyzuar sesa vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të kryesuar nga z. Enver Hasani.

Shtyrja me një javë e mbledhjes së seancës së parë të Kuvendit të Kosovës u bë për motive të dobëta politike. Lista “Sprska” me një nuhatje të hollë politike është bërë aleat i kryeministrit Thaçi në momentin e tij më të vështirë pas zgjedhjeve parlamentare, duke u faktorizuar së pari dhe së dyti, duke sinjalizuar interesin e Beogradit për të mbajtur status-quonë. Ata kanë përdorur interesin vetjak të z. Thaçi për të qenë kryeministër për të tretën herë, duke marrë epërsi politike.

Interesi i Beogradit për të pasur interlekutor të parë z. Hashim Thaçi në Qeverinë e Kosovës ka arsye të shumta. Më kryesorja është fakti që me z. Hashim Thaçi avancimi i Kosovës në proceset demokratike dhe euroatlantike do të jetë minor për shkak të ecurisë së deritanishme të PDK-së në qeverisje dhe përfshirja e eksponentëve të saj në skandale jo të pakta. Dy mandatet e z. Thaçi në krye të Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk pritet të hynë në histori as si “historike” dhe as si “demokratike”.

Interesi i Kosovës në këto momente vendimtare është ndryshimi në qeverisje. Imazhi i Kosovës është cenuar shumë dhe “vietnamizimi” ose moçalizimi i procesit politik që pritet të zgjedhë krerët e rinj të institucioneve nuk e ndihmon qytetarin e Kosovës të jetë si gjithë të tjerët. Katër partitë e opozitës përpara se të premtojnë reforma të mëdha janë të dënuara së pari të normalizojnë hallet e qytetarëve, si më shumë punë, më pak taksa, shërbime më cilësore, etj. Halle të çdo qeverie demokratike.

Sido që të jetë situata politike pas ditës së enjte, shumë sfida e presin Kuvendin dhe Qeverinë e re të Kosovës. Kryeministrit Thaçi duket se po i mbarojnë hiletë. Sigurisht, hile të reja do të shfaqen në horizont me qeverinë e re, por këto hile nuk do të jenë të panjohura sepse i kemi parë gjatë këtyre viteve dhe marrja e masave do të jetë e më e lehtë. /albeu.com/
Shtuar më 16/09/2014, ora 15:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori