Mediat serbe nisin sulmet: Macron dhe Merkel e shantazhuan Haradinajn
Takimi i udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian – i mbajtur të hënën në Berlin, me ftesë të kancelares gjermane, Angela Merkel, dhe presidentit francez, Emmanuel Macron – dhe çështja e Kosovës në fokus, shënuan një varg situatash të tensionuara, që ishin gati të përshkallëzoheshin në konflikt të hapur, shkruan gazeta serbe “Blic”, duke u thirrur në burimet e veta.

E përditshmja beogradase pohon se protagonist i të gjitha konflikteve të sipërpërmendura ishte kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili, sipas gazetës, fillimisht është përplasur me Macronin, e më pas, në disa raste, me presidentin kosovar, Hashim Thaçi.

Sipas “Blic”-it, presidenti i Francës personalisht ka këmbëngulur dhe është munduar t’i bëjë trysni Haradinajt që Prishtina ta heqë taksën prej 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe nga Bosnja e Hercegovina, e cila vazhdon të jetë në fuqi pikërisht për shkak të, siç thotë gazeta serbe, kokëfortësisë së Haradinajt. “Blic” pretendon të ketë mësuar se oferta që i është bërë atij ka qenë liberalizimi i vizave, në shkëmbim të një moratoriumi gjashtëmuajsh për taksën.

Megjithatë, Haradinaj ka refuzuar ofertën e pretenduar, sipas të përditshmes beogradase. Macron, sipas burimeve diplomatike të “Blic”-it, është treguar i rreptë pas asaj që gazeta serbe e ka quajtur sjellje arrogante të udhëheqësit nga Prishtina.

Blic” shkruan se presidenti i Francës i ka thënë kryeministrit kosovar se ai nuk është në pozitë të kërkojë asgjë, dhe se më pas praktikisht ka kërcënuar se Prishtina nuk do të fitojë asgjë, dhe as liberalizimin e vizave në rrethana të tilla. “Nuk ua japim”, i ka thënë Macron troç Haradinajt, sipas burimeve të gazetës serbe.

As Merkel nuk ka pasur mirëkuptim për atë që “Blic” e ka quajtur sjellje brutale të udhëheqësit kosovar, ndonëse qëndrimi i tij kundër prekjes së kufijve është në përputhje me atë të Gjermanisë. Megjithatë, sipas burimeve të gazetës, Merkel vazhdimisht është munduar ta bindë atë që ta ndryshojë pozicionin e tij, dhe se ka pasur shumë durim, por se Haradinaj ka mbajtur qëndrimin e tij fillestar.

Konfliktet, siç i quan “Blic”, me të njëjtin protagonist, nuk kanë përfunduar aty. Një qëndrim të kundërt me Haradinajn në Berlin ka shfaqur edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe dy krerët e shtetit kanë qenë para një konflikti të hapur gjatë tërë kohës. Nuk është sekret, thotë gazeta beogradase, që Thaçi nuk e mbron taksën në mënyrë aq agresive sa Haradinaj, ndërsa ai ka shprehur gatishmërinë ta shfuqizojë atë. Thaçi, megjithatë, në anën tjetër ka folur haptas për të ashtuquajturin korrigjim të kufijve, por edhe për nevojën për rol udhëheqës të Amerikës në negociatat Kosovë-Serbi.
Shtuar më 30/04/2019, ora 23:17
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori