Mediat kroate: Thaçi përqafon modelin kroat
Pas vizitës zyrtare që zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar në kroaci duket se mediat kroate kanë folur në lidhje me qëndrimet që ai ka mbajtur.

Gjastë vizitës së tij në Zagreb, Thaçi është pritur fillimisht nga kryetarja e re e Republikës së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq, e më pas edhe me kryeministrin Zoran Millanoviq, zëvendëskryeministren e pare dhe ministrën e jashtme Vesna Pusiq, dhe me kryeparlamentarin Josip Leko.

Televizioni publik kroat, “HRT”, ka vënë në pah deklaratat e Thaçit për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy shteteve, me përqendrim të posaçëm në avancimin e zhvillimit të potencialeve të Kosovës në energjetikë dhe miniera, por edhe në kulturë, kinematografi dhe sport.

Thaçi ka thënë për HRT se Kosova gjatë këtij viti do të nënshkruajë MSA-në, do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, se Kosova mund të ushtrojë padi për gjenocidin e Serbisë në Kosovë, përkushtimin e Kosovës në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm por edhe anëtarësimin në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar që ka hapur portat për përshpejtimin e ndërkombëtarizimit të plotë të sportit kosovar.

Agjencia shtetërore e lajmeve “Hina” citon zëvendëskryeministrin Thaçi të ketë thënë se Bashkimi Evropian dhe NATO duhet të përshpejtojnë integrimin e shteteve të Ballkanit, dhe se në muajt në vijim priten rezultate të prekshme, duke përfshirë lëvizjet pozitive në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

E përditshmja kroate “Dnevnik” nënvizon deklaratën e Thaçit se Serbia herët a vonë do të pranojë pavarësinë e Kosovës dhe se ndihma më e madhe që BE mund t’i jape Kosovës dhe Serbisë është që i gjithë Ballkani Perëndimor të hyjë në BE njëkohësisht, në grup. Kosova së shpejti do të ketë forcat e saja të armatosura, me standarde të NATO-s, dhe më pas do t’i bashkohet programit të Partneritetit për Paqe.

Gazeta “Veçernji List” thekson kontributin e Thaçit për përshpejtimin e procesit eurointegrues të Kosovës dhe stabilitetit rajonal pas sukseseve në dialogun në Bruksel.

Mediat kroate gjithashtu bëjnë të ditur se zëvendëskryeministri Thaçi është dekoruar nga Shoqata e Luftëtarëve Shqiptarë të Kroacisë me titullin më lartë “Mirënjohje e Artë” me motivacion kontributin e tij të jashtëzakonshëm në çlirimin e Kosovës, shpalljen e pavarësisë, formimin e institucioneve demokratike dhe politikën paqësore në rajon. /albeu.com/
Shtuar më 10/04/2015, ora 11:04

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori