Mediat kosovare: Marrëveshja është arritur, prefiksi i Kosovës do të jetë +383
Ndërsa zyrtarët serbë mbrëmë mohuan të jetë arritur marrëveshje mes Kosovës e Serbisë për telekomunikacionin, mediat në Kosovë theksojnë se kjo marrëveshje tashmë është arritur.

Sipas gazetës “Koha Ditore”, e cila citon burime të saj në Bruksel, sipas marrëveshjes Kosova do të ketë prefiksin e saj telefonik +383, kurse telekomi i Serbisë do të ofrojë shërbime telefonike në lokalitetet e banuara me serbë në Kosovë dhe thirrjet telefonike nga Kosova në Serbi do të trajtohen si thirrje lokale. Sipas kësaj gazete, prefiksi i telefonisë për Kosovën do të sigurohet përmes Austrisë ose Suedisë.

Por, Brukseli nuk e konfirmon arritjen e marrëveshjës për telekomin mes Kosovës dhe Serbisë. Maja Kocijançiç, zëdhënësja e shefes për politikë të jashtme, Catherine Ashton e cila ka ndërmjetësuar takimet e kryeministrave të Thaçi e Daçiç, ka thënë se ende nuk ka asgjë të re rreth kësaj teme. “Ende nuk ka ndonjë lajm për pranimin e marrëveshjes. Ne shpresojmë që të dyja palët të arrijnë marrëveshjen sa më shpejtë që është e mundur”, ka thënë shkurtimisht Kocijançiç.

Një ditë më parë, delegacioni kosovar për dialogun teknik i kryesuar nga zëvendës kryeministrja Edita Tahiri kishte thënë se pala kosovare është pajtuar me versionin e fundit të marrëveshjes, ndërsa pala serbe ka kohë deri sot. Mediat kosovare sot kanë raportuar se marrëveshja është arritur pasi edhe delegacioni serb ka rënë dakord për këtë gjë, por kjo zyrtarisht ende nuk është konfirmuar. Ndërkohë takimi i radhës mes kryeministrave Thaçi e Daçiç varet kryesisht nga rezultatet e këtyre negociatave për telekomunikacionin. /albeu.com/
Shtuar më 09/08/2013, ora 17:16

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori