Me Thaçin u takova për veriun, jo për Qeverinë
Daut Haradinaj
AAK-ja nuk e ka ndërmend të hyjë në koalicionin qeverisës gjatë këtij mandati. Në një intervistë për “Tribuna Shqiptare”, Daut Haradinaj, anëtar i kryesisë së AAK-së, thotë se asnjëherë gjatë takimeve me kryeministrin Thaçi nuk është “rrahur” tema e hyrjes së AAK-së në Qeveri. Megjithatë, nuk e mohon një koalicion të mundshëm me PDK-në në mandatin e ardhshëm qeverisës.

Ai nuk ia sheh për të madhe kryetarit të LDK- së, Isa Mustafa, i cili nuk pranoi kërkesën e AAK-së, për një koalicion| parazgjedhor vitin e kaluar, ndonëse thekson se po të arrihej një marrëveshje e tillë, Qeverinë nuk do ta drejtonte Hashim Thaçi.

E kritikon Qeverinë për ndarjet buxhetore në draft-buxhetin e vitit 2012. Megjithatë, thekson se nëse plotësohen disa vërejtje të AAK-së në projektbuxhet, kjo parti do ta votojë atë. AAK-ja, sipas tij, do ta mbështesë Qeverinë edhe në të ardhmen sa i përket veriut, por kërkon nga ajo me shumë seriozitet në këtë drejtim.

Thotë se AAK-ja është në vështirësi pa liderin e saj, Ramush Haradinaj, por shton se kanë arritur ta ruajnë stabilitetin. Për të, çdo ditë është pritje kthimi i Ramushit në Kosovë, për procesin e të cilit thotë se ka shkuar mirë dhe shumë shpejt pritet edhe finalizimi i tërësishëm i procesit gjyqësor.
Shtuar më 03/11/2011, ora 11:17
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori