Me çka u përballë Qeveria e Kosovës në 2015?
Qeveria e Kosovës, vitin 2015-të, e pati të vështirë, i përcjellë me protesta e gaz lotsjellës, mos liberalizim të vizave, pa ligj për Trepçën, pa ushtri, deputetë opozitarë të arrestuar.

Por, megjithë problemet, Qeveria arriti të miratojë ligjin për Gjykatën Speciale, ndërsa me BE-në, nënshkroi edhe Marrëveshjen për Stabilizim Asociim. Këto janë rezultate të koalicionit qeverisës LDK-PDK-Lista Serbe, por që para përmbylljes së vitit 2015, u përball me kundërshtimin e opozitës, për dy marrëveshje; Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe Demarkacionin e kufirit Kosovë-Mali i Zi, për shkak të të cilave, opozita tentoi ta bllokojë punën e Kuvendit, duke kërkuar zhbërjen e tyre.

Qeveria e Kosovës, në 2015-tën, në disa raste e pati të vështirë. Kështu e vlerësoi edhe vet kryeministri Isa Mustafa vitin 2015 –të.

Janari i 2015-tës nisi me protesta të njëpasnjëshme. Qytetarët, protestuan për fryrjen e faturave të KEDS-it; Fëmijët e dëshmorëve, protestuan duke kërkuar shkarkimin e rektorit të Universitetit të Prishtinës , Ramadan Zejnullahu, pasi ky i fundit, nuk lejoi që studentët të regjistroheshin përmes shoqatave të dala nga lufta. Sindikata e Bashkuar e Arsimit, nga ana tjetër, filloi grevë mësimi duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës përmbushjen e kontratës kolektive.

Por kundërshtimet ndaj qeverisë Mustafa, ishin më të mëdha nga opozita. Lëvizja Vetëvendosje, AAK-ja dhe NISMA për Kosovën, organizuan protestë kundër tërheqjes së projektligjit për shndërrimin e Kombinatit Trepça, në kompani publike dhe deklaratës së ish ministrit serb Aleksandër Jabllanoviq , i cili nënat gjakovare, i quajti “egërsira”.

Protesta e 24 janarit, në të cilën pati arrestime, të lënduar, por edhe shkatërrim të pronës publike, bëri që kryeministri Isa Mustafa të shkarkojë Aleksandër Jabllanoviqin nga posti i ministrit për “kthim dhe komunitete”. Shkarkimi i tij, erdhi me 3 shkurt të vitit 2015 .

Pas këtij vendimi, Lista Serbe filloi bojkotimin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Përveç kësaj, tre muajt e parë të qeverisë Mustafa, u shoqëruan edhe nga ikja masive e rreth 100 mijë kosovarëve, të cilët përmes kampeve të Hungarisë, përfunduan si refugjatë në vendet e BE-së, kryesisht në Gjermani e Francë. Analistët e vendit tonë, vlerësuan se këtë çështje, Qeveria nuk e trajtoi me humanitet.

Protestat kundër Qeverisë aktuale, vazhduan edhe në muajin mars. Kësaj radhe, shoqatat e dala nga lufta, kërkuan zbatimin e ligjit për vlerat e luftës të UÇK-së. Qeveria Mustafa, u kritikua edhe për mos kompletimin e kabinetit qeveritar, ani pse, fillimisht u kritikua për numrin e madh të ministrive dhe zëvendësministrave.

Me 23 mars kabineti qeveritar udhëtoi në Tiranë. Me moton “Një Tokë, Një Popull, Një Ëndërr” u zhvillua mbledhja e dytë e përbashkët ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Mbledhjen përbashkët e drejtuan kryeministrat Isa Mustafa dhe Edi Rama.

Me t’u kthyer në Prishtinë, kreu i Qeverisë Isa Mustafa tha se shëndërrimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, nuk është proces i lehtë. Në fillim të prillit, Mustafa e bëri të qartë se cilado forcë që do të jetë ajo, nuk do të ketë qasje në veri të vendit pa pëlqimin e NATO-s. E nga mesi prillit, Gjykata Kushtetuese dha vlerësim pozitiv për themelimin e Gjykatës Speciale, duke thënë se amendamenti nr 24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, nuk cenon të drejtat dhe liritë e njeriut. PRO kësaj çështjeje, u shpreh edhe shefi i diplomacisë gjermane, Frank Valter Steninmeier gjatë vizitës që i bëri Kosovës. Me themelimin e kësaj gjykate, Kosova i bënë favor historisë së vet dhe gjeneratave të reja, tha Shtajnmajer në Prishtinë:

Gjatë prillit 2015, Qeveria e Kosovës nënshkroi kontratën për dhënien në koncesion të Qendrës Turistike të Brezovicës me koncesionarin francez MDP Consulting. Projekti kap vlerën 409 milion euro. Në prill edhe Lista Serbe, pas dy muajve bojkoti, iu kthye punës në institucionet e Republikës së Kosovës. Muaji Prill 2015, u përmbyll me një lajm të mirë dhe shumë të rëndësishëm per vendin; me 30 prill, Komisioni Evropian miratoi tekstin e Marrëveshjes së Stabilizim –Asociimit mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Qytetarët e Kosovës do ta mbajnë mend muajin maj për ngjarjen shqetësuese që ndodhi në Kumanovë të Maqedonisë. Gjatë një beteje 1 ditore mes policisë maqedonase dhe një grupi të armatosur, mbetën të vrarë 14 pjesëtarë të grupit të armatosur dhe 8 policë. Nga grupi i armatosur, 9 persona rezultuan të jenë shqiptarë, shtetas të Kosovës. Presidenti i Maqedonisë Gjorgje Ivanov e bëri përgjegjës shtetin e Kosovës. Presidentja Atifete Jahjaga dhe kryeministri Isa Mustafa, reaguan ashpër duke dënuar përfshirjen e shtetasve të Kosovës atje. U raportua se Agjencia Kosovare e Inteligjencës kishte njohuri se do të ndodhte incidenti në Maqedoni, por Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, nuk ishte në dijeni.

Ndryshe, shteti i Kosovës në maj të këtij viti, u njoh nga Antigua dhe Barbuda - shtet i përbërë nga ishujt, ndërmjet Oqeanit Atlantik dhe Detit të Karaibeve. Republika e Kosovës, u bë anëtare e Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore. Nga ana tjetër, OKB-ja u deklarua e gatshme të krijojë Gjykatën Speciale, nëse ajo nuk do të krijohej nga Institucionet e Kosovës.

Në qershor, u shtuan zërat ndërkombëtar për krijimin e Gjykatës Speciale. Por ndryshimet kushtetuese, të cilat mundësonin krijimin e saj, dështuan të miratoheshin. Kryeministri Isa Mustafa u ftua në Berlin nga Kancelarja gjermane Angela Merkel e cila doli me kërkesa të qarta për Kosovën: themelimin e gjykatës speciale, vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe luftën kundër korrupsionit.

Nga mesi i vitit 2015, Qeveria e Kosovës vendosi që të falë borxhet publike për qytetarët për periudhën e viteve 1999- dhjetor 2008. Ndryshe, sakrifica e grave dhe e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, u kujtua në “Ditën e Paqes”. Me 12 qershor, kur u shënua edhe përvjetori i 16 –të i hyrjes së trupave të NATOS-së në Kosovë, në Prishtinë u vendos memoriali “Heroinat”. Për gratë që pësuan në luftë, foli edhe presidentja Atifete Jahjaga.

Në korrik, Republika e Kosovës u vizitua nga kongresisti amerikan Eliot Engel dhe ndihmës sekretarja amerikane, Viktoria Nuland. Të dy zyrtarët e lartë amerikanë, përsëritën qëndrimin se “Gjykata Speciale, duhet të krijohet”. Kryeministri Mustafa u tha minisrave të kabinetit qeveritar se “nuk ka pushime verore pa themelimin e Gjykatës Speciale”. Qeveria mori vendim të shpërbëjë të ashtuquajturën “Mbrojtja Civile” në veri të vendit, derisa ministrja për dialog, Edita Tahiri premtoi heqjen e barrikadës mbi lumin Ibër.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Agjencinë e OKB-së për arsim Shkencë dhe Kulturë - UNESCO. Qumështarët, protestuan duke kërkuar ndalimin e importit të prodhimeve të huaja kurse 180 punëtorë të Trepçës, bojkotuan punën duke kërkuar kushte më të mira.



Ndonëse gushti u cilësua si muaji me temperaturat më të larta, kjo nuk pengoi që qytetarët sërish të protestojnë. Kësaj radhe, banorët e Drenasit protestuan kundër ndotjes së mjedisit nga Feronikeli. Veteranët e luftës sërish shprehën pakënaqësitë për vonesën e listave që pritej ti nxjerrë Qeveria për përfituesit nga ligji për kontributin e veteranëve të luftës së UÇK-së.

Veteranët protestuan edhe me 3 gusht, në ditën kur Kuvendi i Kosovës miratoi dy ligje; atë për “Dhomat e Veçanta” si dhe për “Mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial nga Gjykata Speciale”. Opozita nuk mori pjesë në votimin e këtyre ligjeve, por reagimet më të mëdha të saj, nisën pas 25 gushtit, kur Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë, arritën 4 marrëveshje në Bruksel; Formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, marrëveshjen për telekomin që nënkupton Kosova të ketë prefiksin e saj, largimin e bllokadës mbi Lumin Ibër në Mitrovicë dhe Energjetikën. Për marrëveshjen e parë u shpreh vetë kryeministri Mustafa.

Marrëveshjen për Asociacionin, Lëvizja Vetëvendosje e quajti “tradhti kombëtare”. Megjithatë, ky subjekt politik nuk e tha asnjë fjalë për Samitin e Vjenës i cili dëshmoi se Ballkani Perëndimor, do të përfitoj investime me qëllim që shtetet e kësaj pjese të jenë vende më të përgatitura për integrim evropian.

Institucionet e Kosovës, kërkuan më shumë trysni ndërkombëtare mbi Serbinë, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Pagjetur. Banka Botërore i akordoi Kosovës 11 milion euro kredi. Në arenën ndërkombëtae të sportit, Kosova shënoi rezultate; u pranua në Federatën Botërore të Atletikës. Kosova humbi tre akademikë: Esad Stavilecin, Mark Krasniqin e Pajazit Nushin, ndërsa u shënua 18 vjetori i vdekjes së humanistes shqiptare “Nënë Tereza” .

Mbi gjysma e qytetarëve të Kosovës, problem kryesor e konsideruan papunësinë, kurse rreth 40% e tyre, konsideruan se korrupsioni është ndër problemet kryesore të vendit. Rezultatet u publikuan në shtator pas një sondazhi të bërë nga organizata Çohu. Shtatorin e kapluan aktivitetete të ndryshme, duke filluar peticionet e protestat e Vetëvendosjes kundër qeverisë Mustafa. Megjithëkëtë, vendi shënoi “Ditën e Demokracisë”; Ministri i FSK-së Haki Demolli, u shpreh i bindur se Kuvendi i Kosovës do të aprovojë bazën ligjore dhe kushtetuese për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës.

Sesioni vjeshtor i Kuvendit të Kosovës, nisi me telashe. Kryeministri Mustafa u gjuajt me vezë deri sa ishte në foltoren e Kuvendit të Kosovës, duke raportuar për marrëveshjet e arritura me Serbinë në Bruksel. Mustafa, në fillim të fjalës së tij, tha se nuk bëhet fjalë për marrëveshje të reja, por me precizime të veçanta që rrjedhin nga marrëveshja e parë e ratifikuar në Kuvendi i Kosovës. Opozita reagoi kur Mustafa tha se “marrëveshjet janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës”.

Opozita ishte këmbëngulëse në bllokimin e seancës. Edhe përpjekjet tjera për ta vazhduar seancën, u penguan nga deputetët e opozitës, të cilët qëndruan në këmbë duke bllokuar foltoren. Gjendja nuk ndryshoi edhe pas seancës së 22 shtatorit, ndërkohë që situata u komplikua edhe më shumë. Deputetët opozitar, vetëm sa ashpërsuan gjuhën dhe veprimet e tyre. Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, filluan të hedhin vezë ndaj disa ministrave, derisa në Kuvend, nisën të hedhin edhe gaz lotsjellës. I vetmi, i distancuar nga veprimet e deputetëve opozitar, ishte Ilir Deda.

Në muajin tetor, Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, bëri hapin e parë sa i përket daljes nga kriza që ka përfshirë vendin. Ajo nisi takimet e para krerët institucionalë, e më vonë edhe me liderët e subjekteve të pozitës dhe opozitës, ndërsa në një konferencë për media, presidentja u bëri thirrje atyre që përmes dialogut, të dilet nga kjo situatë që e ka kapluar Kuvendin dhe institucionet qeverisëse të vendit.

Jahjaga ftoi partitë opozitare të heqin dorë nga dhuna dhe të bëjnë dialog politik në përpjekje për të tejkaluar gjendjen e krijuar në vend. Në këto takime, opozita deklarohej se nuk dëshironte as dialog dhe as seanca parlamentare, pa tërheqjen e marrëveshjeve të cilat, sipas tyre, dëmtojnë vendin. Nga ana tjetër, shoqëria civile duke kërkuar dialog, përmes një marshi të organizuar, doli në kundërshtim të veprimeve të opozitës. Dialog kërkuan edhe ambasadorët CUINT-it të akredituar në Kosovë, e thirrjes për dialog iu bashkuan edhe shumë analistë vendorë e ndërkombëtarë.

Përkundër këtyre ngjarjeve, tetorin e karakterizon një ngjarje shumë e rëndësishme për Kosovën dhe popullin e saj. Më 27 tetor, në Strasbour, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, nënshkruan Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Kryeministri Mustafa, pas nënshkrimit të Marrëveshjes, tha se “kjo ditë, është ndër ditët më të rëndësishme pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës”.

Muaji nëntor karakterizon përpjekjet e diplomacisë kosovare për pranim të Kosovës në UNESCO. Fatkeqësisht, kërkesa e Kosovës për t’u bërë pjesë në UNESCO, nuk arriti të merrte numrin e kërkuar të votave. Në mungesë të 3 votave, Kosova nuk u pranua në UNESCO . Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, tha se vendimi i mospranimit të Kosovës në UNESCO, nuk e minimizon shtetësinë e Kosovës, ndërsa prioritet i Qeverisë, mbetet anëtarësimi në organizata të tilla. Thaçi tha se kjo situatë, është goditje për rajonin, ndërsa vlerësoi se votat tregojnë se “ne kemi fituar kundër Serbisë”.

Thaçi tha se, gjatë muajve të lobimit, Kuvendi është ballafaquar me bllokadë dhe dhunë opozitare, e kjo sipas tij ka ndikuar dhe është dashur të shpjegohet te njerëzit bllokada dhe situata.

Ndërkohë, opozita përkohësisht hoqi dorë nga bllokimi i 3 seancave solemne të Kuvendit të Kosovës; seancën kur u ratifikua Marrëveshja e Stabilizim Asociimit mes Kosovës dhe BE-së, seancën solemne kur deputetëve u është drejtuar me një fjalë rasti presidenti i Austrisë, Hajnc Fisher, si dhe seanca tjetër kur deputetëve u është drejtuar edhe eurokomisioner Johanes Hahn. Ndryshe, opozita e bashkuar nuk hoqi dorë nga protestat e gazi lotësjell, ani pse kryeministri Mustafa edhe zyrtarisht u bëri ftesë për dialog, duke thënë se me gjuhën e argumenteve zgjidhen problemet. Opozita këtë ftesë, nuk e pranoi, duke organizuar protestë më 28 nëntor, ditën kur u shfaq deputeti Albin Kurti, i cili edhe u arrestua nga Policia e Kosovës në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje.

Bashkë me Kurtin, u arrestuan edhe shumë aktivistë të tjerë të Vetëvendosjes. Skenari i Vetëvendosjes u kritikua nga analistët. Ata thanë se Kurti i iku policisë për disa ditë, jo se pati frikë, por se deshi të jetë në qendër të vëmendjes si hero. Ai zgjodhi 28 nëntorin për të krijuar një mit, shënuan analistët.

Në ndërkohë, Kosovën e vizitoi edhe sekretari amerikan i shtetit John Kerry. Nga aeroporti i Prishtinës, ku qëndroi për disa orë, Kerry drejtoi mesazhin e qartë.

“Mos të gabohemi, ne nuk do të mbështesnim asnjë marrëveshje e cila do të kërcënonte sovranitetin, sigurinë apo pavarësinë e Kosovës. Ne kemi investuar aq shumë për të ardhmen e Kosovës dhe nuk do ta vinim atë në rrezik”.



As thirrja e sekretarit amerikan John Kerry e bërë në fillim të dhjetorit nuk e bindi opozitën që të hiqte dorë nga gazi lotsjellës. Kjo bëri që edhe numri i deputetëve të arrestuar për përdorim të gazit të rritej në 15.

Ndryshe Këshilli i Bashkimit Evropian bëri publike konkluzionet e pakos së zgjerimit ku theksohet se Kosova duhet të bëjë progres për procesin e liberalizimit të vizave. Aty nuk i jepet drita e gjelbërt që kosovarët të udhëtojnë pa viza.

“Këshilli thekson rëndësinë e përmbushjes të të gjitha kushteve për liberalizimin e vizave dhe inkurajon Kosovën që të bëjë përpjekje në mënyrë që të bëjë progres në procesin e liberalizimit të vizave”, tha Komisionari për çështje të brendshme, Dimitris Avramopulos.

“Nëse autoritet e Kosovës e shtyjnë përpara këtë momentum dhe përmbushin kriteret e mbetura, Komisioni siç e thash do të jetë në pozitë që të bëjë propozimin dhe pas kësaj i mbetet shteteve anëtare dhe Parlamentit Evropian, të vendosin përfundimisht. Raporti përcakton 8 kritere të mbetura të liberalizimit të vizave: janë 4 kyçe dhe 4 të tjera përcjellëse që do t’i monitorojmë”.

Kryeministri Isa Mustafa, rithekson se Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizmin e vizave. 8 kriteret e përmendura nga Bashkimi Evropian, janë rekomandime të dala që nga raporti i dytë për Kosovën në muajin shtator, tha Mustafa.

Në mesin e dhjetorit, Qeveria e Kosovës dhe përfaqësuesit e Kompanisë amerikane “Contur Global”, nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi për ndërtimin e Termocentralin “Kosova e Re”, me një kosto prej 1 miliard euro dhe që do të gjeneroj deri në 10 mijë vende të reja pune. Amerikanët u deklaruan edhe një herë gjatë dhjetorit. Departamenti amerikan i Shtetit tha se përkufizimi i vijës kufitare në mes Kosovës dhe Malit të Zi, është në rregull.

As kjo nuk bëri që opozita të heq dorë nga kërkesa për zhbërjen e marrëveshjeve. Prandaj, kritikat se kauza e opozitës nuk është reale, e drejtë dhe e saktë, po kritikohen gjithnjë e më shumë. Sidoqoftë, sukses më të madh për vendin gjatë 2015-tës, krerët shtetërorë e veçojnë nënshkrimin e MSA-së mes Kosovës dhe BE-së.

Bardha Shkreli/RTK
Shtuar më 02/01/2016, ora 11:53

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori