McCain i konfirmon Veselit mbështetjen e SHBA-ve për Kosovën
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur Senatorin amerikan John McCain, ku kanë diskutuar për bashkëpunimin bilateral mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kryeparlamentari Veseli e ka falënderuar senatorin McCain dhe SHBA-të për ndihmën e parezervë dhe mbështetjen e dhënë për popullin e Kosovës.

Kosova sot është një histori e suksesit. Ne jemi të lirë dhe kemi ndërtuar institucione demokratike falë njerëzve si ju, që në momentet më të vështira e kanë mbështetur popullin e Kosovës. Kosova është një demokraci e re që qartazi aspiron integrimin në strukturat euro-atlantike dhe partneriteti me SHBA-të në këtë rrugëtim është jetik”, tha Veseli, thuhet në komunikatën e Kuvendit.

Senatori e falënderoi kryeparlamentarin për mikpritje dhe përgëzoi Republikën e Kosovës për të arriturat e deritashme ndërsa rikonfirmoi mbështetjen e parezervë të SHBA-së për të ardhmen e Kosovës.

Senatori tha gjithashtu se Kosova ka bërë progres në shumë fusha, duke shtuar se Kosova duhet të angazhohet që të ndërtojë një partneritet për paqen në rajon, të angazhohet për fqinjësi të mirë dhe të punojë për një të ardhme edhe më të sigurt.

Në takimin mes kryeparlamentarit Veseli dhe senatorit amerikan John McCain është diskutuar edhe për ushtrinë e Kosovës, për të cilën senatori amerikan McCain tha se Kosova si shtet i pavarur dhe sovran duhet ta ketë ushtrinë e saj.

Ai tha se Ushtria e Kosovës duhet të forcohet dhe të jetë pjesë e familjes së Aleancës Veriatlantike NATO. /Albeu.com/


Në takimin mes kryeparlamentarin Veseli dhe Senatorit McCain është diskutuar edhe për luftën që ka bërë Kosova kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit. /Albeu.com/

Shtuar më 13/04/2017, ora 17:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori