Matoshi: Presim rezultate pozitive në Mitrovicë dhe në komuna tjera
Fatmir Matoshi nga Shtabi zgjedhor i Aleancës për Kosovë të Re (AKR) ka theksuar se ata si subjekt politik kanë disa vërejtje për mënyrën se si ka shkuar procesi zgjedhor gjatë ditës së sotme.

Ai në një konferencë për media, ka thënë se kanë marrë ankesa dhe vërejtje nga aktivistët e AKR-së, në komunat e Prishtinës, Mitrovicës, Gjakovës, etj.

“Në Prishtinë e kemi rastin kur një votuesi nuk i janë dhënë dy fletëvotime, por vetëm një. Më pas kemi fotografim të votës, dukuri e cila po na shqetëson. Janë mbi 130 raste kur vota është fotografuar. Në fshatin Skivjan, ka dyshime dhe është raportuar për rastin e shitjes së votës përmes metodës së ‘trenit bullgar’”, ka shtuar Matoshi.

Ai ka thënë se pret që organet e rendit do t’i marrin masat e nevojshme, duke i zbuluar rastet e keqpërdorimit të votës së qytetarëve.

“Në anën tjetër anëtarësia jonë po i përgjigjet pozitivisht thirrjes për të votuar. Në Mitrovicë po presim fitore të sigurt. Presim rezultate pozitive edhe nëpër komuna tjera. Ju bëjmë thirrje komisionerëve dhe vëzhguesve të qëndrojnë në vendvotimet e tyre, deri në numërimin e votës së fundit. Çdo votë duhet të lexohet ashtu si është dhënë, që në fund të mos kemi devijim të asnjë rezultati në asnjë komunë”, ka theksuar Matoshi. /albeu.com/
Shtuar më 22/10/2017, ora 18:14

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori