Matoshi i bindur: Kamenicën do ta qeverisja më mirë se Sinani e Surdulli
Nënkryetari i Kamenicës Fatmir Matoshi, shprehet se është plotësisht i bindur se do ta kishte qeverisur komunën shumë më mirë se sa kryetari aktual Begzad Sinani dhe paraardhësi i tij Shaip Surdulli.

Në një bisedë për Rajonipress, nënkryetari i Kamenicës shprehet se ndihet keq që nuk e fitoi mundësinë ta tregoj këtë me vepra. “Unë nuk kam humbur në zgjedhje, mendoj se ka humbur Kamenica, që nuk ma besoj qeverisjen” shprehet Matoshi.

“Unë besoj se kryetari Sinani e dëshiron gjithashtu zhvillimin më të madh të Kamenicës, por ka ngecje në sistem dhe duhet të ndërmerret diçka në këtë drejtim. Kryetari Sinani e ka fituar garën me një mbështetje të gjerë nga qytetarët dhe partnerët e koalicionit. Ai e ka mbështetjen e plotë të AKR-së për të ndërmarrë reforma, gjithashtu ka mbështetje besoj edhe nga partitë e tjera në koalicion. Nuk guxojmë të mbesim peng të interesave grupore e klanore. Do të duhej të kishim themeluar shumë herët zyrën e projekteve, të angazhonim staf profesional për projektet, të trajnonim ose të zëvendësonim menaxhmentin e prokurimit nga ku mund të dështojë i tërë sistemi i projekteve komunale, të instalonim përgjegjësinë dhe llogaridhënien si instrument kyç i suksesit të administratës. Kryetari duhet të zvogëloj numrin e drejtorive komunale për së paku tri drejtori, në mënyrë proporcionale për secilin subjekt në qeverisje dhe gjithashtu ta riformatoj këtë qeverisje sa më parë”, ka deklaruar Matoshi.

Më tej ai ka thënë se disa projekte po zhagiten pa arsye. “Është për keqardhje që një projekt i transportit të nxënësve në Busavatë neglizhohet kaq shumë gjoja për mungesë të mjeteve, ndërsa me lehtësi gjenden mjetet për vizita e shëtitje jashtë vendit të zyrtarëve të DKA-së, zvarritja e projektit të asfaltimit të rrugëve lokale është e pakuptimtë dhe nuk ka spjegim se pse po ndodh, zvarritja e realizmit të projektit të kanalizimeve gjithashtu. Ne do të duhej të realizonim edhe projektin e mbulimit të shpenzimeve të varrimit ashtu si veprojnë shumë komuna” ka thënë ai.

“Unë kryesisht angazhohem në detyra dhe punë që ndërlidhin komunën me partnerët e jashtëm, kryetari ka në përgjegjësinë e tij menaxhimin e brendshëm të komunës dhe në këtë pjesë nuk përzihem. Marrë pjesë në takimet e bordit vetëm kur ftohem nga ai. Administrata ka nevojë për një reformim të thellë dhe sa më parë të ndodh kjo aq më mirë bëhet” ka thënë në fund Matoshi./Albeu.com/
Shtuar më 23/04/2016, ora 09:38
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori