Masakra e Qyshkut, arrestohet një i akuzuar
Në Beograd është arrestuar Sinisa Misic, i akuzuar për likuidimin e 11 civilëve shqiptarë në fshatin Qyshk të Pejës, njoftoi Prokuroria serbe për krime të luftës. Misic, i quajtur Klempa, pjesëtar i njësisë paramilitare “Shakallët” nga Peja u arrestua sipas urdhër-arrestit të Interpolit.

Në kërkesën për kryerjen e hetimeve thuhet se Misic është i dyshuar për likuidimin e 11 civilëve të përkatësisë etnike shqiptare. Ai dyshohet se bashkë me pjesëtarët e tjerë të njësitit “Shakallët”, në Pejë dhe në territorin e komunës së Pejës ka bërë vrasje individuale dhe masive, përdhunime dhe kate të tjera dhune, kurse është i dyshuar edhe për grabitje të bizhuterive të arit, parave dhe automjeteve, me të cilat ka bërë tregti, kryesisht në Malin e Zi, njofton FoNet, transmeton Koha.

Misic ka marrë pjesë në djegien e shtëpive familjare, me qëllim të përhapjes së frikës në mesin e civilëve shqiptarë, në mënyrë që t’i detyrojë të braktisin vatrat e veta dhe të shpërngulen në Shqipëri.

Ky i dyshuar për krime të luftës është i lindur në Vinkovci të Kroacisë, kurse me banim në Vukovar. Urdhër-arresti është lëshuar në vitin 2010 me urdhrin e gjykatësit hetues të Gjykatës për krime të luftës. Për këtë vepër kërkohen edhe dy të dyshuar. Prokuroria ka propozuar që Misicit t’i caktohet paraburgimi.
Shtuar më 04/11/2011, ora 17:55

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori