KAS i kërkon KQZ rinumërim votash në Rrogozhinë

Koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka kërkuar sot në Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve rinumërimin e votave në bashkinë e Rrogozhinës si dhe heqjen e rezultatit të qendrës së votimit të burgut nga tabela përfundimtare e votave.

Pas shqyrtimit, KAS i ka kërkuar KQZ që të rinumërojë votat për kryetar bashkie në këtë qytetet.

Kandidati i PS-së Edison Memolla fitoi përballë Shkëlqim Hoxhës së BF-së me 30 vota diferencë, ndërkohë që përpara se të numërohej kutia e burgut kryesonte Hoxha me mbi 50 vota.

Ivi Kaso, përfaqësues i BF-së tha se në shumë qendra votimi të Rrogozhinës janë vlerësuar si të rregullta për kandidatin e PS-së fletë votimi që duhet të shpalleshin të pavlefshme.

“ I jemi drejtuar KQZ-së për të na vënë në dispozicion pamjet filmike, ku kemi nxjerrë edhe parregullsitë. Në QV 2228/1 në proceserverbal rezulton se Memolla ka 150 vota, Hoxha 92, ndërkohë që numërimi që kemi bërë ne Memolla ka 148 vota, pra i janë shtuar 2 vota. Në këtë zonë zgjedhore është i nevojshëm rinumërimi dhe rivlerësimi i të gjitha votave. Vetëm kështu kemi garancinë që rezultati që do të dalë nga ky proces do të pasqyrojë të vërtetën e këtij procesi zgjedhor”, tha Kaso.

Ndërsa avokati i kandidatit Hoxha, Viktor Gumi u shpreh se nga të burgosurit që kanë marrë pjesë në votim, vetëm 6 prej tyre kishin të drejtën ligjore për të votuar, ndërkohë që në 14 maj në atë qendër kanë votuar mbi 118 të burgosur.

“Sipas dokumentacionit që kemi marrë, 2 shtetas që kishin vendbanimin në Rrogozhinë mund të votonin. Të tjerët ishin atje me vendqëndrim. A mundet që një qendër votimi burgu të përcaktojë fatin e qeverisjes së një bashkie për 4 vite? A përfitojnë të burgosurit për të pasur një shkollë, një çerdhe? Jo. Pse duhet ta përcaktojnë ata fatin e një qyteti? Rezultati më i drejtë do të jetë heqja e asaj qendre votimi”, tha Gumi.

Ndërsa përfaqësuesi i PS-së, Eridian Salianji kërkoi rrëzimin e kërkesës së BF-së me argumentin se procedura e votimit të ndjekur në qendrën e votimit të burgut ka qenë e njëjtë në çdo proces zgjedhor dhe ankimimi këtë herë është bërë për shkak të diferencës së vogël mes dy kandidatëve.


Shtuar 31.05.2023 16:21