Martesa i bëri mirë Albin Kurtit, e normalizoi
Pëlqej
Lavdrim Lita

Albin Kurti i është imponuar mjedisit politik shqiptar me forcë dhe jo me dashuri. Me forcën e aksionit dinamik dhe jo të arsyes. Ai të krijon jo vetëm simpati, por dhe frikë.

Albin Kurti, studenti i dalluar i Fakultetit të Elektronikës, filloi aktivitetin e tij për të drejta, duke hyrë në Unionin e Pavarur të studentëve të Universitetit të Prishtinës si anëtar i kryesisë së Unionit, i angazhuar me marrëdhëniet me jashtë. Në fund të vitit 1999, Kurti filloi të punonte si sekretar në Zyrën e përfaqësuesit politik të UÇK-së, z. Adem Demaçi.

Gjatë ndërhyrjes së NATO-s Kurti ndodhej në Prishtinë, ku dhe u arrestua nga Policia serbe (27 prill 1999) me akuzën e "Ndërmarrjes së disa aktiviteteve terroriste me qëllim separatist”. U dënua me 15 vjet burg, por pas ardhjes së Vojsllav Koshtunicës në pushtet, u lirua.

Ai themeloi në vitin 2005 Lëvizjen “Vetëvendosje”. Kjo lëvizje u identifikua direkt për motivet e dhunës kundër EULEX-it, ngase “Vetëvendosja” kërkon largimin e ICO-s, UNMIK-ut nga Kosova.

Albin Kurti, ky politikan i ri në moshë përfaqëson me një llaf nacionalsocializmin më shumë se kushdo tjetër ndër sojin tonë. Fjalori politik i VV-së deri më sot ka qenë i kushtëzuar në luftën “kundër”, domethënë kundër korrupsionin ose “hajnisë”, kundër Qeverisë Thaçi, kundër Serbisë dhe dialogut teknik, kundër komunitetit ndërkombëtar në Kosovë, etj, anti-diçka.

Për të qenë korrekt, kanë propozuar një gjë, idenë jo të re të bashkimit kombëtar, si metaforë e panaces shqiptare. Ilaçi që shëron gjithçka, sipas Albinit, bashkimi kombëtar në një flamur.
Mirëpo, Albin Kurti deri më sot nuk ka gjetur aleat të dobishëm për projektin e tij politik dhe as që duket këtej, apo andej kufirit.

Sigurisht, kjo politikë me aromë nacionalsocialiste ka arritur të grumbullojë një pol të qenësishëm reagimi publik në Kosovë, duke fituar përkundër të gjitha sondazheve Komunën e Prishtinës. Ata interpelonin pa merak Qeverinë Thaçi për çdo gjë, duke errësuar jo pak opozitën qytetare të LDK-së, me kromozom rugovian.

Sot kanë 16 deputetë në Parlament e Kosovës, ashtu si në legjislaturën e mëparshme, por kësaj radhe me më shumë eksperiencë parlamentare.

Pas vendimit për t’u martuar, Albin Kurti ka vendosur dy ditë më parë edhe firmën e parë në një marrëveshje politike, duke bërë një hap përpara në normalizimin e Lëvizjes “Vetëvendosje”. Pas kësaj marrëveshje, Albin Kurti dhe VV-ja janë të dënuar të heqin nga fjalori politik tezën “kundër” dhe marrë përsipër një sipërmarrje të re politike me LAN-in.

Marrja përgjegjësi politike dhe publike është një shkallë më e lartë sesa protestat në rrugë që i mblidhte njerëzit, ndërsa vendimmarrja mund të sjellë kënaqësi dhe pakënaqësi.

Madje, ndonjëri do t’i lindë në mendje të presë me vezë në duar zotin Kurti sapo të vijë në aeroportin pas ndonjë kompromisi në negociatat sfilitëse me Serbinë. Korrigjimi i qëndrimeve të mëparshme politike drejt një moderimi të gjuhës veç sa do t’i bëjë mirë arsyes së ekzistencës së VV-së.

Albin Kurti, pas marrjes së pushtetit të “Vetëvendosjes” në Komunën e Prishtinë, po ngjitet vetë në pushtetin tundues të politikës së madhe.

Tundimet për Albin Kurtin dhe njerëzit e “Vetëvendosjen” do të jenë të mëdha dhe të pashmangshme. Filozofia e rezistencës ndaj tundimeve është e papajtueshme me forcën gravitacionale të pushtetit dhe është çështje kohe, kur skandali do të përfshijë VV-në, por kjo do ta bëjë edhe më normale në skenën politike shqiptare./albeu.com/

*Autori eshte gazetar nga Shqiperia, njohes i mire i ceshtjeve politike ne Kosove dhe ne Maqedoni.
Shtuar më 12/09/2014, ora 13:56
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori