Marrëveshjet ndërshtetërore duhet të miratohen në Kuvend
Mos informimin e Kuvendit për planin implementues, opozita e quan shkelje të ligjit. Mirëpo, përderisa pozita konsideron se është arritur mjaftë dhe siguron se me këtë marrëveshje është garantuar tërësia territoriale e shtetit të Kosovës, kryeparlamentari Jakup Krasniqi potencon se çdo marrëveshje e karakterit ndërshtetëror duhet të miratohet në Kuvend.

Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, pas mbledhjes së kryesisë, tha se parlamenti dhe deputetët po anashkalohen nga Qeveria e cila nuk e informon legjislacionin për planin implementues të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, arritur më 19 prill në Bruksel, raporton RTK.

“Po anashkalohemi ne si ligjvënës dhe Parlamenti si institucioni më i lartë politik i vendit që i nxjerrë institucionet tjera. Ne mendojmë se në Kuvend duhet të diskutohen të gjitha dokumentet e vlefshme për të cilat merr vendime Qeveria për Republikën e Kosovës”, tha Konjufca.

Mirëpo, deputeti nga radhët e PDK-së, Adem Grabovci, deklaratat e Konjufcës i quan zë i vetmuar. Ai tha se me këtë marrëveshje është garantuar tërësia territoriale e shtetit të Kosovës.

“Ju lutem, shikoni se çka solli Konferenca e Vjenës, kundër së cilës ishin këta zëra të vetmuar. Sot atyre po u themi se me marrëveshjen tash ne kemi arritur të garantojmë tërësinë territoriale, t`i garantojmë kufijtë e Kosovës, paprekshmërinë e tyre”, tha Grabovci.

Në anën tjetër, kreu i Kuvendit Jakup Krasniqi, potencon se çdo marrëveshje që ka karakter ndërshtetëror, duhet të miratohet në Kuvend.

“Çështjet janë të përcaktuara me ligj, çdo marrëveshje e karakterit ndërshtetëror dhe ndërkombëtar e miraton Kuvendi i Republikës së Kosovës, marrëveshje tjera nuk miratohen në Kuvend. Ne ende nuk e kemi marrë dokumentin zyrtarë mbi bazën e të cilit do të mund të jepnim qëndrimet dhe mendimet tona”, tha Krasniqi.

Ndryshe, Kryesia e Kuvendit mori vendim që seanca e rregullt plenare të mbahet të enjten, më 30 maj. Ndërsa, me kërkesën e deputetit të LDK-së, Lutfi Haziri, të premten Kuvendi mbanë seancë tjetër ku do të diskutohet për çështjen e shqiptarëve në Luginë të Preshevës./albeu.com/
Shtuar më 27/05/2013, ora 15:24

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori