Marrëveshje e partneritet evropian mes Kosovës dhe Kroacisë
Pas takimit me presidenten kroate Kolinda Grabar-Kitaroviç dhe kryeparlamentarin kroat Josip Leko, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Hashim Thaçi është takuar edhe me homologen e tij kroate, Vesna Pusiq.

Në këtë takim është vlerësuar lartë bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve, duke theksuar se dy vendet do të forcojnë edhe më tutje bashkëpunimin me theks të veçantë në proceset integruese evropiane të Kosovës.

Me këtë rast, Thaçi dhe Pusić kanë nënshkruar marrëveshjen për partneritet evropian ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë.

Zëvendëskryeministri Thaçi ka theksuar se marrëveshja ka për qëllim ofrimin e njohurive dhe mbështetjen për Republikën e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Sipas tij, kjo marrëveshje do të avancojë edhe më shumë bashkëpunimin mes Kosovën dhe Kroacisë, derisa për Republikën e Kosovës, shembulli i integrimit të Kroacisë në BE, do të shërbejë si udhërrëfyes.

Edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kroacisë, Vesna Pusić ka vlerësuar lartë marrëveshjen, duke u zotuar në vazhdimin e mbështetjës së Kroacisë për Kosovën.

Marrëveshja për partneritet evropian parasheh që Qeveria e Kroacisë do t’i ofrojë Kosovës njohuri, përvojë dhe ekspertizë specifike të fituar në procesin e integrimit evropian, në format e mëposhtme të bashkëpunimit si organizimit të konsultimeve, iniciativave, ngjarjeve dhe aktiviteteve të përbashkëta.

Po ashtu organizimit të vizitave studimore të ekspertëve nga Republika e Kosovës në institucionet e Republikës së Kroacisë, trajnimet e avancuar përmes seminareve mbi çështjet e integrimit Evropian, legjislacionit, ngritjen institucionale dhe ngritjen e kapaciteteve. Ofrimin e shërbimeve eksperte nga ana e ekspertëve Kroat në fushën e integrimit Evropian, trajnimin dhe shkëmbimin e përvojës sa i përket asistencës financiare të BE-së etj.

Zëvendëskryeministri Thaçi do të takohet edhe me kryeministrin e Kroacisë, derisa gjatë ditës ka takuar presidenten, kryeparlamentarin dhe zëvendëskryeministren dhe ministren e Jashtme. /albeu.com/
Shtuar më 08/04/2015, ora 16:38

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori