Marrëveshja shkelet pa filluar zbatimi!
Marrëveshja e arritur në mes të kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq, “për normalizimin e marrëdhënieve” Kosovë- Serbi është shkelur nga palët nënshkruese ende pa filluarimplementohet.
Vetëm pak kohë pas marrëveshjes, është përcaktuar që dokumenti prej pesëmbëdhjetë pikave të fillojë të implementohet më 26 prill, por kanë kaluar më shumë se dy javë prej kur dy kryeministrat e kanë nënshkruar atë, ndërsa implementimi as që ka filluar.

Në fakt, takimi i ekipeve të dy shteteve për të rënë në ujdi rreth mekanizmave për implementimin e marrëveshjes është mbajtur më 26 prill, por ata kanë dështuar në arritjen e planit zbatues.

Pas këtij takimi, delegacioni kosovar i prirë nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe ai serb, që drejtohet nga Marko Gjuriq, që është këshilltar i presidentit serb, Tomisllav Nikoliq, janë takuar përsëri, por as në takimin e dytë nuk janë pajtuar për mënyrën se si duhet të zbatohet në terren marrëveshja Thaçi-Daçiq, shkruan zëri.

Analisti politik, Ardian Arifaj, thotë se në momentin që marrëveshja nuk ka filluarimplementohet, ashtu siç është paraparë, përkatësisht plani implementues i dakorduar nga të dyja palët nuk ka qenë i gatshëm me këtë datë, kjo nënkupton se është shkelur ajo.

“Pas marrëveshjes patën dalë në konferencë për gazetarë edhe patën thënë që pas një jave do të takohen edhe do të arrihet marrëveshja për implementim. Pak a shumë unë e kuptoj si shkelje të marrëveshjes. Është paralajmëruar si pjesë e marrëveshjes që brenda një jave të arrihet marrëveshja për planin e implementimit”, thotë ai.
Sipas tij, fakti që Serbia po e zvarrit këtë proces është tregues se ekziston rreziku që marrëveshja Thaçi-Daçiq të dështojë tërësisht.

“Kjo është pasojë e asaj që e kemi thënë përherë. Bisedimet kanë qenë proces i imponuar nga bashkësia ndërkombëtare, dhe jo i nisur për shkak se palët janë të vetëdijshme për nevojën e normalizimit të marrëdhënieve. Po shihet se palët nuk janë të gatshme për normalizim e bashkëpunim të sinqertë”, thotë ai. /albeu.com/
Shtuar më 10/05/2013, ora 11:23

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori