Marrëveshja minon Kosovën
Shefi i Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje! (VV), Visar Ymeri, ka deklaruar të mërkurën se marrëveshja e arritur me Serbinë minon ndërtimin e Republikës sovrane të Kosovës. Ymeri ka thënë se as me procesin e dialogut e as me marrëveshjen s’do të ketë normalizim të marrëdhënieve me Serbinë abnormale.

“Kjo marrëveshje është bashkëpjesëmarrje në aktivitetet e Serbisë që kanë për qëllim minimin e mundësisë së ndërtimit të Republikës sovrane të Kosovës”, ka deklaruar Ymeri në këtë intervistë për “Epokën e re”.

Ai ka thënë se s’mund të ketë normalizim të marrëdhënieve me Serbinë anormale. “As procesi e as marrëveshja e parë në këtë proces negociatash nuk janë normalizim i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë, por ridefinim i strukturës së brendshme institucionale, territoriale e të financave publike të Kosovës, për t’ua përshtatur atë kërkesave të Serbisë. Nuk ka dhe nuk mund të ketë normalizim marrëdhëniesh me një shtet abnormal siç është Serbia karshi Kosovës”, ka theksuar Ymeri.

Ai ka bërë me dije se Lëvizja Vetëvendosje! është duke punuar në terren për t’i organizuar qytetarët për ta nxjerrë Kosovën nga kursi i shkatërrimit në të cilin e ka futur qeveria aktuale.

“Jemi duke punuar shumë në terren për t’i organizuar kështu qytetarët që bashkë me ta ta nxjerrim Kosovën nga kursi i shkatërrimit ku po e fut Thaçi dhe të tjerët si ai, dhe duke e vendosur atë në kursin e dinjitetit, barazisë, zhvillimit e mirëqenies”, është shprehur Ymeri, duke shtuar se Vetëvendosje! është duke u rritur, ndërkohë që përkrahja për partitë e tjera po bie.

Ai ka thënë se Vetëvendosje! nuk ka qenë e interesuar të ketë koalicion me LDK-në, por unifikim opozitar. Mirëpo, sipas Ymerit, kjo nuk është arritur për shkak se LDK-ja është rreshtuar në krah të Qeverisë.

“Ata nuk kishin interesim për një gjë të tillë. Nuk deshën të bashkëpunojnë në shumicën prej këtyre çështjeve të lartpërmendura. Dhe të dielën i pamë të rreshtuar kryekëput kah Qeveria”, ka thënë Ymeri.

Epoka e re”: Z. Ymeri, Lëvizja Vetëvendosje! këmbënguli për të mos kaluar nga Kuvendi marrëveshja e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Pse Vetëvendosja! kaq kundërshtuese? Nuk jeni për normalizim të raporteve me Serbinë?

Ymeri: As procesi e as marrëveshja e parë në këtë proces negociatash nuk janë normalizim i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë, por ridefinim i strukturës së brendshme institucionale, territoriale e të financave publike të Kosovës, për t’ua përshtatur atë kërkesave të Serbisë. Nuk ka dhe nuk mund të ketë normalizim marrëdhëniesh me një shtet abnormal siç është Serbia karshi Kosovës. Serbia nuk na njeh, nuk i pranon krimet që i ka kryer në Kosovë, e mban të okupuar me strukturat e veta veriun, i përndjek vazhdimisht, politikisht e ekonomikisht, shqiptarët, nuk i ka dorëzuar kurrë kriminelët që kanë vrarë e dhunuar shqiptarët në Kosovë, nuk ka shpaguar as një cent të dëmeve që i ka shkaktuar ekonomisë e pronës në Kosovë. Pra, është një vend armiqësor që ka të kaluar kriminale, të tashme kriminale dhe të ardhme kriminale, ashtu siç e kërkon kreu i vet shtetëror. Çfarëdo normalizimi pa ndryshuar Serbia është normalizim i krimit. Por, marrëveshja shkon më larg se kaq. Ajo nëpërmjet autonomisë për veriun, financave të ndara dhe pushtetit ekzekutiv, si dhe nëpërmjet legalizimit të strukturave ilegale kriminale të Serbisë, po ia mundëson kësaj kryerjen e krimin dhe fshehjen e tij. Kjo marrëveshje është bashkëpjesëmarrje në aktivitetet e Serbisë që kanë për qëllim minimin e mundësisë së ndërtimit të Republikës sovrane të Kosovës.

Epoka e re”: Pse e konsideroni të dëmshme këtë marrëveshje? Ku e shihni rrezikun e saj?

Ymeri: Marrëveshja është në përputhje të plotë me frymën e platformës së Serbisë, e shprehur më herët në 6-pikëshin famëkeq, e cila synon ta krijojë një Kosovë për serbët dhe pjesën tjetër të Kosovës për të tjerët. Ajo që nisi me decentralizimin etnik në Planin e Ahtisaarit e vazhdon rrugëtimin e saj të ndarjes së Kosovës nëpërmjet centralizimit etnik në Asociacionin e Komunave. Ky është praktikisht territori i autonomisë, ndërkohë që buxheti i ishte ndarë më herët në atë që u pagëzua si Fondi Zhvillimor për Veriun. Marrëveshja përbëhet nga elemente kryesore: ajo ia definon pushtetin ekzekutiv asociacionit që del përtej kompetencave ekzekutive të komunave me shumicë serbe të cilat edhe ashtu kishin kompetenca shtesë, veçanërisht në polici dhe gjyqësi; ia legalizon Serbisë pjesëmarrjen në çështjet e brendshme politike, ekonomike e të sigurisë të Kosovës, nëpërmjet legalizimit të strukturave ilegale dhe nëpërmjet komisioneve të përbashkëta zbatuese të marrëveshjes; ia cenon Kosovës pavarësinë duke krijuar një mbikëqyrje të re arbitrare nga jashtë për shkak se e definon Kosovën si shtet të marrëveshjes, më shumë sesa shtet sovran që bën marrëveshje.

Epoka e re”: Për ç’arsye nuk janë në një vijë me VV-në, edhe LDK-ja dhe AAK-ja? Ku është problemi që s’po keni koordinim të bllokut opozitar në tema të rëndësishme?

Ymeri: Pozicioni i këtyre dy partive është oportunizëm i skajshëm absolutisht jo politik. Ato po thonë se për çështje të rëndësishme jemi bashkë me qeverinë, ndërkohë që për ato të rëndësisë më të vogël ndahemi. Politika do të duhej të ishte pikërisht e kundërta: ndarja në parti të ndryshme politike ka kuptim vetëm nëse kemi dallime për çështje të rëndësishme të cilat e ndikojnë drejtpërdrejt sovranitetin dhe integritetin territorial e ekonomik të vendit. Përndryshe, ç’kuptim ka të debatojmë gjerë e gjatë, ta zëmë për ligjin, administrimin e punës në zyrë! Pra, ky pozicionim i tyre karshi çështjeve më të rëndësishme për vendin siç janë negociatat, por deri-diku edhe për zhvatjen publike për privatizimit siç është rasti me AAK-në dhe me disa nga LDK-ja flet shumë për ngjashmëritë në politikat dhe programet që këto parti përqafojnë. Nëse nuk është ngjashmëria atëherë unë nuk e di se çka i shtyn këta të bëhen rresht për dy para Thaçit. Mbase oportunizmi?

Epoka e re”: Cilët do të jenë hapat e mëtutjeshëm të Lëvizjes Vetëvendosje!?

Ymeri: Kundërshtimin tonë kundër kësaj qeverie që është në kundërshtim të hapur me interesin shtetëror të Kosovës, duke e tradhtuar atë në secilën fazë dhe sektor të ndërtimit të tij, do ta intensifikojmë. Ne jemi duke punuar shumë në terren për t’i organizuar kështu qytetarët që bashkë me ta të nxjerrim Kosovën nga kursi i shkatërrimit ku po e fut Thaçi dhe të tjerët si ai, dhe duke e vendosur atë në kursin e dinjitetit, barazisë, zhvillimit e mirëqenies.

Epoka e re”: Kemi parë kohët e fundit disa takime të liderit të VV-së me liderin e LDK-së. Jeni i pajtimit ju që ndodh një koalicion mes këtyre dy partive?

Ymeri: Takimet nuk e kanë pasur temë koalicionin, por krijimin e një blloku opozitar që do ta rrëzonte qeverinë e Thaçit, nëpërmjet hetimit të ShIK-ut, privatizimit të pronës publike, kontratës me “Bechtel Enkan” dhe zbatimit të saj, si dhe për një angazhim të përbashkët në ndaljen e negociatave, duke e pasur më se të qartë se ato do të prodhojnë një marrëveshje të tillë kapitulluese çfarë erdhi të premten. Ata nuk kishin interesim për një gjë të tillë. Nuk deshën të bashkëpunojnë në shumicën prej këtyre çështjeve të lartpërmendura. Dhe të dielën i pamë të rreshtuar kryekëput kah Qeveria.

Epoka e re”: AAK-ja është larguar nga reforma zgjedhore me arsyetimin se takimet e deritanishme s’janë duke prodhuar asgjë. Cili është komenti i VV-së për këtë?

Ymeri: Vazhdimisht kemi kërkuar të zhvendoset debati në Kuvend dhe në komisionet përkatëse, mirëpo qëllimisht kjo nuk po ndodh dhe pjesëmarrja jonë në këto takime të liderëve po bëhet vetëm sa për t’u informuar me atë se çfarë po ndodh në ato takime me dyer të mbyllura dhe t’i përsërisim vazhdimisht qëndrimet tona të kahershme si për sistemin zgjedhor ashtu edhe për administrimin e zgjedhjeve dhe t’i mbrojmë ato pasi janë të drejta. Me këtë papërgjegjësi politike e mosvullnet politik reforma e mirëfilltë zgjedhore asnjëherë nuk do të ndodhë, mirëpo reforma nuk do të ndodhë edhe për shkak se qëllimi i marrëveshjes jashtinstitucionale e antikushtetutese nuk ishte të bëhet reformë e mirëfilltë zgjedhore, por zgjedhja e presidentit nga zarfi dhe zgjatja e jetës së kësaj Qeverie e votave të vjedhura.

Epoka e re”: Zgjedhjet lokale janë këtë vit. Mendoni se VV-ja do të dalë më e fuqishme?

Ymeri: Jemi duke u përgatitur për këto zgjedhje. Në takimet tona me qytetarë kemi vërejtur se përkrahja për Lëvizjen Vetëvendosje! është duke u rritur vazhdimisht, ndërkohë që përkrahja për të tjerët po bie. Jemi duke u organizuar edhe për ta mbrojtur votën, gjë që me hajninë eklatante në Kosovë di të jetë vendimtare për rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. /albeu.com/
Shtuar më 25/04/2013, ora 11:45

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori