Marrëdhënia Kosovë-Maqedoni duhet të konsolidohet
Ministri i Zhvillimit Ekonomik , Blerand Stavileci, në një konferencë për media së bashku me homologun e tij nga Maqedonia, Driton Kuqi, deklaroi se Kosova dhe Maqedonia duhet intensifikojnë bashkëpunimin në fushat e interesit të përbashkët si energjia, infrastruktura dhe fusha tjera që hynë në kuadër të bashkëpunimit rajonal.

“Do të donim që tani e tutje ta ndryshonin kahen në kuptimin pozitiv sidomos për sa i takon ritmit të zhvillimeve, pra që t’i materializojmë ato dhe të nisim me aktivitete dhe projekte konkrete”, theksoi Stavileci.

Më tej ai thotë se duke e ditur që të dyja shtetet janë bashkëpjesëmarrëse në të gjithat iniciativat rajonale, përfshi edhe ato që rrjedhin nga procesi i Berlinit në kuadër të cilit janë agjenda e rrjetit të transportit në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe interkonektiviteti në fushën e energjisë, ky bashkëpunim duhet çuar më tej.

“Në këtë kuadër është shumë e rëndësishme që shtetet e Evropës Juglindore, sidomos këto me të cilat jemi fqinj të kemi projekte me të cilat do të lidheshim edhe më mirë njeri me tjetrin, pastaj do të lidheshim edhe në platformat tjera sidomos në aspektin e tregut rajonal”, u shpreh më tej Stavileci.

Kreu i MZHE-së, u shpreh se praktika e bashkëpunimit me Shqipërinë ku hyn autostrada energjetike - 400 kV dhe projektet që do të kenë impakt edhe në zhvillimet e ardhshme në tregjet e përbashkëta, mund të ndiqen edhe me Republikën e Maqedonisë, me qëllim të krijimit të një tregut të integruar rajonal, shkruan RTK.

“Delegacionet përkatëse u zotuam që do t’i rinisim këto ide të mëparshme dhe të shohim si t’i avancojmë ato në mënyrë që shtetet tona të lidhen në kuptimin e infrastrukturës fizike por edhe në kuptimin e ndërtimit të kapaciteteve energjetike, me të cilat mund të komplementarizohemi, me çka ndikojmë edhe në sigurinë e furnizimit, jo vetëm për Kosovën dhe Maqedoninë, por edhe me shtete tjera”, tha më tutje Stavileci.

Ndërkohë Ministri i Ekonomisë i Maqedonisë, Driton Kuqi deklaroi se dy vendet tani më kanë vendosur bazë solide për themelimin e bashkëpunimit me projekte të reja në interes të qytetarëve të dy vendeve.

“Gjatë takimit u bisedua rreth projekteve energjetike aktuale të përbashkëta sikurse është interkonektimi i dytë Maqedoni -Kosovë prej 400 kV, në të cilën tani më marrin pjesë dy vendet në pranimin e studimeve për vërtetësi ndërsa është nënshkruar edhe Marrëveshja Operative mes MEPSO dhe KOSTT me të cilën rregullohet bashkëpunimi i sistemeve interkonektive mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.

Kuqi shtoi se me homologun Stavileci janë pajtuar rreth rëndësisë së zhvillimit të sistemeve gaz-përçues të dy vendeve, sepse në pajtim me studimet e fizibilitetit për sistemin gaz-përçues në Maqedoni, në mesin e 6 interkonektimeve potenciale shtesë të parashikuara është edhe interkonektimi me Kosovën me të cilën do të shtohet sigurimi i furnizimit me energji.

Bashkëpunimi realizohet në bazë të 28 marrëveshjeve të nënshkruara midis dy vendeve, por ky bashkëpunim pritet të konkretizohet edhe më tutje nga grupet punuese të dy ministrive./Albeu.com/
Shtuar më 12/05/2016, ora 12:37

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori