Maqedonisë s’i pengojnë targat serbe
Edhe pse Republika e Maqedonisë e ka njohur pavarësinë e Kosovës, edhe sot e kësaj dite mund të vërehen vetura me targa të lëshuara nga autoritetet e Serbisë në të cilat figurojnë inicialet e qyteteve të Kosovës. Sipas këtyre targave, i bie që Ferizaji, Prishtina apo Mitrovica të jenë qytete të Serbisë. Kjo, për ekspertin juridik, Naser Zyberi mund të shihet edhe si suspendim i njohjes së Kosovës si shtet nga ana e Shkupit zyrtar. Në territorin e Maqedonisë ende qarkullojnë lirshëm vetura me targa të Serbisë, e që mbajnë emrat e qyteteve kosovare, dhe kjo nuk paraqet asnjë problem për organet e rendit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) Ivo Kotevski nuk sheh problem, dhe thotë se gjithçka është konform ligjit, sepse policisë i intereson patentë shoferi dhe polisa e sigurimit. Nëse ato janë në rregull, gjithçka është në rregull, thotë ai.

“Nëse targat janë të vlefshme dhe nëse pronari i veturës ka dokument ndërkombëtar dhe patentë shoferi ndërkombëtar, atëherë nuk ka kurrfarë problemi. Përderisa zyrtari që lëshon kartoni e gjelbër dhe sigurimin ndërkombëtarë i pranon këto targa si legjitime përsëri për ne nuk ka problem, gjithashtu të njëjtit ne nuk mund ti ndalojmë në vendkalimet kufitare, hyrjen e veturave të tilla”, ka deklaruar për “Zhurnal Plus” zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski.

Kjo është plotësisht në kundërshtim me ligjet e vendit, madje vë në pikëpyetje marrëveshjen për njohjen e shtetësisë së Kosovës, vlerëson analisti Naser Zyberi.

“Formalisht është e pamundur që automjete me targa të Serbisë për qytete të Kosovës të hyjnë në Maqedoni dhe të qarkullojnë lirshëm. Kjo është një shkelje flagrante e marrëveshjes për njohjen e shtetit të Kosovës. Kjo me siguri bëhet me lejen e organeve të Republikës së Maqedonisë. Kuptohet që për këtë çështje duhet të ketë reagim të dyfishtë dhe nga Qeveria e Maqedonisë, sepse kjo është një akt i cili në fakt e suspendon njohjen e Kosovës nga ana e Maqedonisë”, konsideron Zyberi.

Përveç problemeve politike që mund t’i ketë Maqedonia me Kosovën për këto raste, sipas juristit, mund të shkaktohen edhe probleme praktike mes të dyja vendeve.

“Pastaj nxjerr edhe probleme praktike sepse ato automjete duke qarkulluar në Maqedoni mund të jenë lëndë e ndeshjeve në komunikacion, humbje jete, dëme materiale etj., ndërsa organet e Maqedonisë nuk mund t’i ndjekin ata persona, sepse ato automjete nuk janë të regjistruara në Republikën e Kosovës por në Serbi, ndërsa ata qytetarë nuk janë qytetarë të Serbisë por të Kosovës”, thekson Zyberi.

Çdo qytetar i Maqedonisë mund të vëren qarkullimin e veturave të Serbisë me targa të qyteteve të Kosovës, si shkurtesat e qyteteve (UR) për Ferizajin, (PR) për Prishtinën e kështu me radhë. Nga ana tjetër dihet se targat e veturave të Kosovës janë shkurtesën KS.
Shtuar më 16/02/2012, ora 10:40

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori