Maorizio Salustro heton akuzat ndaj UÇK-së
Prokurori italian, Maorizio Salustro, është ngarkuar edhe me një mision hetimor. Ka marrë përsipër gjetjen e provave që ngarkojnë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me trafikim organesh me qëllim të shitjes së tyre.

Salustro që deri tash ka ndritur disa aktakuza kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së, ka nisur punën në terren për gjetjen e provave dhe dëshmive se “gjatë luftës ka ndodhur kjo tregti ilegale”. Këto hetime i ka nisur bazuar në raportin e senatorit zviceran tashmë në pension, Dick Marty, shkruan Koha Ditore.

Ish-prokurori zviceran pati nxjerrë një raport vitin e kaluar, me të cilin akuzonte UÇK-në, në krye me kryeministrin Hashim Thaçi, se kanë kryer shumë krime të rënda, siç është trafikimi i organeve, armëve, drogës, naftës e cigareve. Ky raport, që u shndërrua edhe në rezolutë nga Këshilli i Evropës, flet për marrje organesh në dy “qendra paraburgimi në Shqipëri”, në të ashtuquajturën “Shtëpia e verdhë” afër Burrelit dhe në Fushë-Krujë.

Salustro është pjesë e një ekipi prokurorësh që po udhëhiqet nga amerikani Clint Williamson. Burime të afërta me procesin kanë thënë për “Kohën Ditore” se për secilën akuzë të ndritur nga Marty ka hetues të specializuar.

Ky burim ka thënë se prokurorit Salustro i ka rënë barra më e madhe, e që është hetimi i akuzave për trafikim organesh. Kjo akuzë ishte hedhur poshtë vazhdimisht nga autoritetet kosovare. Konsiderohet edhe më e rënda.

Prokurori Maorizio Salustro, i cili ka arritur ta çonte në gjykatë tashmë “rastin Kleçka”, ka nisur intervistimin e dëshmitarëve. Në zyrën e tij në Prishtinë, në ndërtesën e EULEX-it, Salustro ka intervistuar një person me pretendimin se do të arrijë të sigurojë fakte për trafikim organesh.
Shtuar më 10/11/2011, ora 14:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori