Reali ankohet për kalendarin: Çfarë rastësie me Barçën?

Kalendari i ri ka gjeneruar shumë polemika në kampionatin spanjoll. Reali i Madridit është një prej ekipeve më të rebeluar për mënyrën se si janë ndarë ditët dhe oraret për katër javët e para të La Ligës.

Arsyeja kryesore është fakti se rivalët e tyre në garën për titullin kampion në Spanjë do të luajnë më përpara, pikërisht javën e 28-të, 29-të, 30-të dhe të 31-të. Në zyrat e “Bernabeu”-t madje kanë komentuar me ironi këtë ndarje të çuditshme dhe deri diku të padrejtë nga ana e tyre.

“Çfarë rastësie”, kanë thënë madrilenët. Atyre nuk u ka pëlqyer aspak fakti që ndryshuan totalisht planet sepse përpara ndalesës së kampionatit për shkak të “COVID-19”, Reali do të luante të shtunën e 13 marsit dhe në rast të një fitoreje, atëherë do t’i bënte presion Barcelonës, e cila do të luante të dielën ndaj Majorkës. Pra, nëse Reali do të merrte 3 pikë kundër Eibarit do të dilte në vendin e parë me 1 pikë përpara Barcelonës, me këta të fundit që do të kishin një ndeshje më pak. Por, me rinisjen e kampionatit gjërat janë ndryshe. Barcelona do të luajë të shtunën kundër Majorkës në transfertë (22:00), ndërsa Reali do të presë Eibarin një ditë më vonë (19:30) në “Di Stefano”.

Edhe për javët e ardhshme do të ndodhë pikërisht e njëjta gjë. Barcelona do të luajë 24 ose 48 orë përpara Realit të Madridit, ashtu si në transfertën në “Pizjuan” më 19 qershor, ndërsa Reali në “Anoeta” më 21 qershor. Por, këto nuk janë të paqartat e vetme të këtij kalendari, i cili në një tjetër rast penalizon skuadrën e Leganesit. Ndeshja mes Barcelonës dhe Leganesit është vendosur për të martën më datë 16 qershor (22:00). Sfida tjetër e Vasko Aguirres është në Majorka dhe do të jetë si një finale për qëndrimin në La Liga. Kjo sfidë do të luhet të premten në orën 19:30 dhe duhet thënë se as nuk kanë kaluar 72 orë nga ndeshja e “Camp Nou”-t, e cila do të përfundojë në mesnatë.

“Kjo gjë do ta detyrojë Leganesin të luajë kundër Barcelonës me ekipin rezervë dhe pastaj të provojë me të gjitha forcat të fitojë sfidën kundër Majorkës”, komentojnë në Madrid. Gjithçka do të diskutohet në këtë kampionat. Çuditë do të vazhdojnë deri në fund.


Shtuar 9.06.2020 17:32