Maloku: LDK-AAK-NISMA të konvertuar në inatçor aktiv
Pëlqej
Pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit në Kosovë, janë bërë më shumë se dy muaj që kur vendi ka hyrë në vakum institucional, dhe ende nuk dihet me saktësi se cili do të jetë epologu përfundimtar.

Në lidhje me rrjedhat e zhvilluara dhe mundësit e formimit të institucioneve të Kosovës, politologu Albinot Maloku për Albeu.com thotë se, shteti i Kosovës po kalon përmes një faze e cila në asnjë rrethanë nuk i konvenon vendit.

"Shteti i Kosovës si në aspektin e brendshëm, si në atë të jashtëm ka nevojë për institucione dhe një Qeveri stabile e të fuqishme. Prej 8 qershorit, ditës kur Kosova i pati zgjedhjet më të lavdëruara nga të gjitha zgjedhjet tjera të organizuara në vend, e deri më tani, është mbuluar nga një hije e cila po e rëndon çdo proces përparues për shtetin. Pritjet nga ana e qytetarëve se pas zgjedhjeve gjërat do të lëvizin, dolën të mos jenë ashtu. Stagnimi në formimin e institucioneve shtetërore të cilat do të dilnin pas një procesi zgjedhor, aspak nuk po i bëjnë mirë vendit.", thekson Maloku.

Ai konsideron se Blloku LDK-AAK-NISMA i bërë bashkë menjëherë pas zgjedhjeve të 8 qershorit nuk është duke luajtur lojën brenda rregullave dhe praktikave të deritanishme të aplikuara në Kosovë.

"Kosova pati një proces zgjedhor, me të cilin si qytetar e treguam kulturën politike, por që doli të kemi politikan të papërgjegjshëm pas humbjeve të tyre. Rregullat e lojës të parashtruara më parë u respektuan nga qytetarët, por për shkak të inatit me humbjen disa lider treguan papërgjegjësi. Kjo nënkupton se do të ishte më korrekte të rishikoheshin veprimet e tyre, nga ata vetë, se si u bë e mundur që subjekti politik që drejtoj Qeverinë e vendit për dy mandate, ta fitojë edhe mundësin për mandatin e tretë, kurse të tjerët prapë humbën.", tha Maloku.

Më tej Maloku shton se, "Qytetari i Kosovës e dëgjoi gjithsecilin nga subjektet politike të renditur në listën zgjedhore, për zgjedhjet e 8 qershorit, doli në votime, dhe nuk u bind nga subjektet politike opozitare.

Përgjegjësia politike do të ishte, rishikimi i defekteve dhe jo tentimi që të instalohen praktika të këqija të cilat nuk ishin të aplikuara deri më tani në vendin tonë. Patjetër, nga papërgjegjësia e lidershipit politik humbës e të konvertuar në inatçor aktiv në skenën politike, qytetari i Kosovës është humbësi kryesor/albeu.com/

Shtuar më 16/08/2014, ora 14:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori