Zbardhet skema: Si mashtronte noteria Rezarta Koçi

Noteria Rezarta Koçi është arrestua nga policia pasi duke shpërdoruar detyrën vidhte paratë e klientëve që e zgjidhnin atë për të bërë kontratat noteriale të shit-blerjeve të banesave apo bizneseve. Një numër i lartë qytetarësh e kishin kallëzuar për mashtrim.

ABC mëson se nga hetimet ka rezultuar se noteria 40 vjeçare, gjatë kohës që përgatiste dokumentacionin, nuk hapte llogari të ngrirë bankare për transferimin e parave nga pala blerëse tek ajo shitëse, por në kundërshtim me ligjin përdorte llogarinë e saj personale.

Mashtrimet e Koçit u zbuluan nga qytetarët që ishin pala shitëse, pasi nuk merrnin asnjë shumë lekësh edhe pse certifikata e shtëpisë apo biznesit që shisnin kalonte në emër të palës blerëse. Sapo ata i kërkonin paratë, Koçi i mashtronte duke u thënë se do t’i kalonte nga dita në ditë.

Deri në këtë fazë të hetimeve ka rezultuar, se vetëm gjatë vitit 2021 janë 15 qytetarë që mashtruar nga noteria Rezarta Koçi, duke përvetësuar një shumë që kap vlerën e rreth 2 milionë eurove. Por, hetuesit kanë bindjen se numri i qytetarëve të mashtruar prej saj është edhe më i lartë.

Arrestimi i Koçit u bë për dy vepra penale, “Shpërdorim detyre” dhe “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”. Hetimet për të vijojnë edhe për veprat penale, si mashtrim, fshehje të ardhurash dhe mospagim i taksave dhe tatimeve.

Tre muaj më parë, në zonën e “Komunës së Parisit”, në Tiranë, makina e saj “Range Rover” që ishte e parkuar, shpërtheu me tritol.

Ngjarja është ende e pazbardhur dhe pa autorë. Policia dhe Prokuroria kanë dyshimet se shkak i tritolvënies janë konfliktet e noteres. /abcnews.al/


Shtuar 4.02.2022 16:37