Macron nuk e ka hallin me Shqipërinë, si duhet të jenë reformat që kërkon
Pëlqej
Opinion nga Ervin Shkulaku

Edhe sot gjatë samitit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor në Sofje të Bullgarisë, Presidenti i Francës Emanuel Macron ritheksoi edhe njëherë mbështetjen për anëtarësim të vendeve të Ballkanit Perëndimor por kërkoi që BE të jetë e qartë për të ardhmen e saj duke e treguar në reforma thelbësore.

E menjëherë dikush e kupton këtë deklaratë sikur Macron e ka hallin me Shqipërinë apo ndonje shtet të Ballkanit Perëndimor, sikur këto shtete qënkan aq të fuqishme sa rrezikojnë BE-në nëse hynë pa meritë.

Por jo, Macron duhet ta ketë hallin diku tjetër, më lart se kaq.

Për ne shqiptarët BE është qëllim dhe përpiqemi që të anëtarësohemi në të, e mirë bëjmë pasi është vendi i duhur ku të gjithë mund të jetojnë të lirë sipas mendimit të vet, por në arenën ndërkombëtare BE duket se nuk ka peshë të madhe politike.

Dhe kjo siç duket po i shqetëson liderët e saj.

SHBA dhe Rusia vazhdojnë të dominojnë skenën politike botërore duke ia humbur peshën politike Evropës, kontinentit më të vjetër që dikur kishte nën kontroll gjithë botën.

Si shembull të fundit shohim goditjen që SHBA i bëri diktatorit Assad, ndërsa BE si institucion e tregoj edhe njëherë se nuk është e bashkuar siç e ka emrin Bashkim.

Franca mori vendim ta përkrahë SHBA-në në bombardime ndërsa Gjermania nuk e mirëpriti mirë këtë vendim të SHBA-ve dhe nuk mori pjesë por normalisht e mbështeti këtë veprim.

Pra, në këtë rast nuk kemi në skenë një Bashkim Evropian por shtete që veprojnë në bazë të interesave të tyre personale.

Këtë tashmë po e kuptojmë edhe ne shqiptarët që presim hapjen e negociatave.

Komisioni Evropian është institucioni zyrtar që vendos nëse janë mbushur kushtet për hapjen e negociatave dhe Shqipëria e mori vendimin për hapje pa kushte. Por çuditërisht tani duhet të binden edhe qindra deputetët e këtyre shteteve apo dhjetra partitë, si psh çfarë të presim ne nga deputetët e ekstremeve nacionalistë?

Madje sipas një lajmi edhe shumica e deputetëve të shtetit ku është shkolluar Lulzim Basha, Holandës janë kundër hapjes së këtyre negociatave.

Mirë Shqipëria, po Komisioni Evropian është i paaftë apo i korruptuar që ka vendosur hapjen e negociatave sipas deputetëve holandezë, meqenëse qenkan kundër?

Ky veprim i deputetëve holandezë apo të tjerëve që kundërshtojnë vendimin e Komisionit Evropian nuk është tjetër veçse një tregues që ndikimi i institucionit "BE" nuk është sa duhet në këto shtete. E këtu e pëson e Shqipëria e cila duhet të bindë 28 shtetet, por mirë që nuk ka dalë kundër Italia pasi vetëm duke lexuar "Gamorra" librin e Roberto Savianos e kuptojmë farë mirë që s'ka bosa të drogës shqiptarë por këta janë thjesht punonjës të famlijeve mafioze siçiliane që s'ka nevojë t'i përmend pasi kanë vite që ekzistojnë dhe asnjë polici nuk po mundet t'i shkatërrojë plotësisht.

Prandaj, Macron kërkon me të drejtë reforma të mëdha që sipas meje duhet t'i forcojnë institucionet e Bashkimit Evropian dhe pse jo një ditë të jetë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një BE me një ushtri e sa më pak liderë kryesore do të jetë me e fuqishme edhe në arenën ndërkombëtare. Fundja nuk duhet të presin gjithmonë nga SHBA, pasi edhe kjo e fundit një ditë mund të ndryshojë. Vetëm nga Donald Trump shohim disa ndryshime që janë në të mirë të shtetit të tij dhe jo të BE-së. E pra kush është garant që në atë ardhmen nuk vjen si president i SHBA-ve ndonjë anti-evropian?

Nëse do të ishte një BE si SHBA-ja atëherë nuk do të kishte nevojë që vendet e Ballkanit Perëndimor të negocionin por duke u anëtarësuar menjëherë automatikisht do të hynte në fuqi i gjithë sistemi i BE-së që i rregullonte këto vende.

Gjithashtu nëse BE reformohet nga ky drejtim e ardhmja e saj është e sigurt pasi ta mendojmë cfarë do të ndodhte nëse do të fitonte Le Pen në Francë apo le t'i dëgjojmë deklaratat e hungarezit Urban.

Tashmë mbetet të shihet muaji qershor nëse shtetet e Bashkimit Evropian do ta mbështesin Komisionin Evropian për vendimin ndaj Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor./albeu.com/
Shtuar më 17/05/2018, ora 15:12
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori