E FUNDIT/ Makina përplas 10 vjeçarin në Vlorë
LVV-së dhe LDK-së ua ka qejfi koalicionin por asnjëra nuk e lëshon kryeministrin
Ende pa u caktuar ndonjë datë për zgjedhjet e reja partitë politike në Kosovë kanë nisur t’i shpërfaqin preferencat e tyre për koalicionet parazgjedhore.

Disa prej tyre tashmë kanë filluar diskutimet në këtë drejtim, ndonëse ende nuk kanë marrë ndonjë vendim final se si do të veprojnë në momentin e fundit, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Derisa nga PDK-ja kanë thënë se do të garojnë të vetëm në zgjedhje, përfaqësuesit e LDK-së e të LVV-së kanë nisur të diskutojnë për një koalicion parazgjedhor. Ndërkohë partitë e tjera kanë thënë se nuk i përjashtojnë bashkëpunimet para procesit të ri elektoral.

Ndonëse ditëve të fundit ka pasur një takim mes dy liderëve opozitarë, kreut të LDK-së Isa Mustafa dhe kryetarit të LVV-së Albin Kurti, deputeti i LDK-së Naser Rugova ka thënë se ende nuk ka diçka konkrete sa i përket bashkëpunimit me Vetëvendosjen.

Një gjë e tillë sipas tij do të bëhet e qartë në ditët në vijim.

Teksa ka folur rreth takimit Mustafa - Kurti, Rugova ka thënë se ky takim ka vënë në panik partnerët e koalicionit qeverisës.

“Janë të çuditshme reagimet nga partnerët aktualë të koalicionit. Sipas vlerësimit tim, ata janë në panik të thellë dhe janë në ethe nga një bashkëpunim i mundshëm qoftë paraelektoral, qoftë paselektoral mes LDK-së dhe LVV-së, si dy subjektet më të fuqishme. Por duhet ta presim caktimin e datës së zgjedhjeve dhe tek pastaj të diskutohen çështjet e tilla”, ka deklaruar ai.

Por pavarësisht kësaj Rugova ka ritheksuar se LDK-ja nuk e negocion postin e kryeministrit, pasi sipas tij Lidhjes Demokratike të Kosovës i takon kjo pozitë edhe në rast se mund të ketë një bashkëpunim me LVV-në.

“Një gjë është e ditur që nga zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë, LDK-ja ka dalë partia më e madhe. Në të gjitha matjet LDK-ja është e para. Konsiderojmë që LDK-ja do të udhëheqë me qeverinë e ardhshme, prandaj unë vlerësoj se LDK-ja do ta ketë kandidatin për kryeministër dhe për modalitete të tjera jemi të hapur të bashkëpunojmë me spektrin politik, konkretisht me LVV-në”, ka theksuar ai.

Ndërkohë edhe nga Lëvizja Vetëvendosje kanë përsëritur faktin se janë për një koalicion me LDK-në. Megjithëkëtë, edhe LVV-ja po vazhdon të mos heqë dorë nga posti i kryeministrit.
Shtuar më 16/08/2019, ora 10:04
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori