LVV: Kosova po përballet me mungesë oksigjeni për pacientët me COVID-19
Lëvizja Vetevendosje, ka thënë se Spitalet Rajonale që po trajtojnë pacientë me COVID-19, janë duke u përballur me mungesë të oksigjenit medicinal.

Sipas LVV-së, Qeveria, Ministria e Shëndetësisë dhe SHSKUK-ja, janë duke fshehur mungesën e oksigjenit, e që sipas tyre kjo po u kushton pacientëve me jetë, transmeton Zeri.info.

“Spitaleve të mbingarkuara me pacientë me COVID-19, po u shtohet edhe mungesa e oksigjenit. Ditëve të fundit, sikurse muajve të fundit, janë raportuar raste të shumta të vështirësive deri në mbetje pa oksigjen medicinal të spitaleve rajonale.Fshehtësia dhe papërgjegjësia e qeverisë, ministrit dhe SHSKUK e Agjencioneve përgjegjëse po i kushtojnë vendit me jetë të humbura”, thuhet në një reagim të LVV-së.

Oksigjeni medicinal është element i domosdoshëm në përballje me COVID-19 për pacientët e shtrirë nëpër klinika, ndërsa LVV ka ftuar institucionet që të marrin veprime të shpejta për të garantuar furnizim të rregullt e mbi të gjithë të pandërprerë me oksigjen medicinal dhe nga kompani që i përmbushin të gjithë kriteret duke i mbikëqyrur pa ndërprerë.

Për gjithë këtë, sot disa deputetë të LVV-së, kanë ndërmarrë një protestë simbolike para Ministrisë së Shëndetësisë për siç kanë thënë “për t’i kujtuar se qytetarët po përballen me rrezik të dyfishtë, kurse punonjësit shëndetësor me vështirësi në punën e tyre, nga mungesa e oksigjenit”.
Shtuar më 03/12/2020, ora 16:50

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori