Ibra “sfidon” koronavirusin në mënyrën e tij: Guxoi ndaj meje, ide e keqe

Zlatan Ibrahimoviç është bërë futbollisti radhës i Serisë A që preket nga koronavirusi.

Por suedezi i Milanit nuk është si të gjithë të tjerët dhe këtë fakt e ka kthyer në një sfidë personale me sëmundjen.

I zakonshmi Ibra, nëpërmjet rrjeteve sociale i ka bërë sfidë infeksionit të rrezikshëm, duke u bërë gati për riaftësimin i cili me siguri do ta lërë për minimalisht dy javë larg fushave të lojës, duke filluar nga ndeshja e sotme në Ligën e Europës.

“Unë testova negativ dje ndaj COVID dhe pozitiv sot. Asnjë lloj simptome. COVID kishte guximin të më sfidonte, ide e keqe”, shkruante Ibra në rrjetet sociale.

Lojtari është izoluar plotësisht nga pjesa tjetër e skuadrës, e cila gjithashtu i është nënshtruar tamponëve dhe lojtarët e tjerë kanë rezultuar negativë. Kështu, të gjithë do të mund të marrin pjesë në këtë ndeshje, kuptohet me përjashtim te Ibrahimoviç dhe Leo Duarte, i cili ishte i pari që rezultoi pozitiv një ditë më parë duke vendosur në ankth klubin.


Shtuar 24.09.2020 15:39