"Lufta" e vitit: Historia e nënës që ktheu djalin nga Siria (VIDEO)
Kosova ishte prekur në gusht nga rrëfimi i nënës 30-vjeçare: Pranvera Abazi e luste bashkëshortin e saj, Arben Zena, t’ia kthente në shtëpi djalin e tyre tetëvjeçar, që në Siri e kishte marrë pa lejen e saj.

Ishte kjo një histori e dhimbshme njerëzore që nuk i bëri përshtypje njerëzve që udhëhiqnin me vendin. Madje, as edhe një gruaje si presidentja Atifete Jahjaga që nuk u morr asnjëherë me problemin.

Policia anti-terror gjithsesi punonte në prapavijë me familjen e djalit, që rrezikonte gjithçka në përpjekjet dëshpëruese për ta kthyer në Kosovë, përpjekje që do të zgjasnin tre muaj deri kur një xhihadist i penduar do të kujdesej për ta kthyer Erionin në Kosovë (pasi kishte marrë garanci se nuk do të ndiqej penalisht), raporton Koha.net.

Në fillim të tetorit, zemra e një nëne do të qetësohej, kur Pranvera arriti ta ketë sërish në përqafim djalin e saj të vetëm. Ajo i tha KTV-së se kjo ishte dita më e mirë e saj.

Në një fushatë të orkestruar PR-i, ish kryeministri Hashim Thaçi dhe presidentja Jahjaga thanë se AKI-ja e skandaleve të Bashkim Smakajt, kishte bërë një akt heroik duke e kthyer Erionin në Kosovë.

Koha Ditore raportoi pas disa ditësh që AKI s’kishte lidhje dhe se aspak nuk kishte kontribut me kthimin e fëmijës.

Erioni ndërkohë i është kthyer jetës normale në Prishtinë, pas një sërë tmerresh të përjetuar pranë luftëtarëve të organizatës terroriste ISIS.
Shtuar më 01/01/2015, ora 18:59
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori