Lufta e vetme e Kosovës, ajo për ekzistencë
Diskutimet e fundit të nisura nga deklarimet e zyrtarëve opozitarë që lufta me Malin e Zi dhe më pas një luftë e madhe në Ballkan, duken të jenë të pashmangshme për Kosovën, diskutojnë analistët politik.

Behlul Beqaj, njohësi i çështjeve politike, tha se problemet të tilla si demarkacioni, nuk mund të zgjidhen me luftë.

Ai ka deklaruar se mund të ketë individë të caktuar jo vetëm në Kosovë, por kudo në botë, të cilët e perceptojnë çështjen e kufirit si mundësi për hapjen e konfliktit, por kjo është çështje e cila nuk përkon me disponimin real të faktorëve kyç, që munden me qenë bartës të konfliktit, konkretisht as nga ana e Malit të Zi dhe as nga ne në Kosovë.

"Deklaratat e fundit nuk janë në përputhje me gjendjen reale.

Besoj se Mali i Zi edhe më pak Kosova është e përgatitur për skenarë të luftës. Qëndrimet zyrtare të pushtetit malazias dhe qëndrimet zyrtare të Kosovës, flasin vetëm për mundësinë e tejkalimit të dallimeve, e jo për ashpërsimin e dallimeve.

Nuk mund të zgjidhet problemi i vogël siç është i demarkacionit duke krijuar probleme të mëdha siç është lufta. Kjo s’do të thotë se nëse nuk zgjidhet kjo çështje apo nëse zgjidhet në formën si është aktualisht, nuk do të ketë konflikte sporadike dhe nuk do të rrezikohet siguria në rripin kufitar.

Kjo është e mundur jo vetëm në Mal të Zi por është e mundur dhe në brezat tjerë kufitar, varësisht nga interesi i qarqeve të caktuara politike, për ta tendosur situatën në Kosovë. Besoj se pas luftërave shkatërrimtare kemi nxjerr një mësim dhe nuk është mirë t’i fryjmë erës së luftës", thotë Beqaj, duke shtuar se përgjegjës kryesor për tendosje të situatës, është Qeveria e Kosovës, transmeton "Kosova Press" /albeu.com/

Shtuar më 02/10/2016, ora 11:53

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori