Procesi i ri zgjedhor pritet që edhe këtë herë të karakterizohet me lista të
papastruara. Një gjë e tillë sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile lë vend për manipulime.
Ndonëse rreth një muaj na ndan nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare, KQZ-ja ende nuk i ka në duar
listat e pastruara të votuesve. Ani pse KQZ-ja është në pritje të këtyre listave nga Agjencia për Regjistrim Civil, kjo agjenci ende nuk ka dhënë detaje.
Ndërkaq përfaqësues të KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë thënë për “Zërin” se në zgjedhje do të shkohet me
listat ekzistuese, pasi nuk ka më kohë për përmirësimin e tyre.
Në anën tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile shfaqin frikën se mundësia e manipulimit me
listat zgjedhore do të ndikojë në
rezultatin final të zgjedhjeve.
Rasim Alija, njohës i çështjeve politike, tha për “Zërin” se
listat e
papastruara mbeten ende një problem shqetësues, që mund të ndikojë në
rezultatin final të zgjedhjeve.
“Pastrimi i listave
zgjedhore mbetet hallka më e dobët e procesit zgjedhor. Janë bërë disa përpjekje, por jo aq të mjaftueshme, sa të mundë të sigurohemi që mbi këtë dobësi nuk mund të bëhen manipulime. Ende mbetet shqetësuese prezenca në
listat votuese e atyre që kanë ndërruar jetë dhe ende nuk është zgjidhur çështja e adresave”, ka thënë ai.
Ai thotë se përdorimi i teknologjisë dhe mundësive që krijon ajo mund të ndikojë në
rezultatin zgjedhor. Alija më tutje tha se të gjitha këto, por edhe të tjera problematika është dashur t’i adresojë reforma
zgjedhore. “Çështjet si ndryshimi i dizajnit të fletëvotimeve për të ulur numrin e votave të pavlefshme, pastrimi i listës votuese, ndryshimi i mënyrës së numërimit të votave, përmirësimi dhe rritja e cilësisë së trajnimeve e ndryshimi i qasjes për edukimin e votuesve janë disa çështje që kanë mundur të adresohen si reformë teknike, por që ka munguar vullneti edhe i partive politike, por edhe i institucioneve”, tha ai.
Alija tha se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve përkatëse do të ishte zgjidhja e problemit me
listat zgjedhore. /Zeri/
Shtuar më 03/09/2019,
ora 13:37