Lista Serbe dhe Vuçiç i binden presionit ndërkombëtar për të votuar Demarkacionin
Një presion i madh ndërkombëtar po zhvillohet ndaj Listës Serbe për të votuar nesër Demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Burime të Klan Kosovës marrin vesh se të mërkurën, një delegacion i Srpskas, i kryesuar nga kryetari i grupit parlamentar Slavko Simiç, ka udhëtuar në Beograd për të takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Presidenti serb po përpiqet të bindë deputetët për të votuar ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi.

Mësohet se Vuçiq ditëve të fundit është vendosur para një presioni të madh ndërkombëtar nga përfaqësues të Kuintit dhe zyrtarë të Bashkimit Evropian, për të mos lejuar që deputetët e Listës Serbe të bllokojnë këtë marrëveshje.

Deputetët serbë në këmbim të votës “pro” kanë kërkuar garanci nga ndërkombëtarët dhe partnerët e koalicionit qeveritar një qasje konstruktive të Kosovës në raport me dialogun e Serbisë dhe zbatim të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Sipas këtij burimi, në takimet me përfaqësuesit e Kuintit, përfaqësuesit e Listës Serbe kanë luajtur rol konstruktiv.

Deri më tani ka patur shumë pak deklarime të përfaqësuesve të kësaj partie për sa i takon kësaj teme.

Ka qenë vetëm deputeti Igor Simiç, i cili dy ditë më parë kishte deklaruar se Demarkacioni me Malin e Zi ka rëndësi vetëm për shqiptarët dhe jo për serbët.

Nëse Lista Serbe do t’i bindet presionit ndërkombëtar dhe nëse partitë politike përpos Vetëvendosjes votojnë në bllok për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, atëherë ditën e nesërme do të ishin 88 vota për këtë marrëveshje ndërkombëtare, e cila mëton të zhbllokojë procesin e liberalizimit të vizave për kosovarët.

Kjo nënkupton votën pro nga PDK, AAK, Nisma, Listën Serbe, pakicat joserbe dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës. /albeu.com/
Shtuar më 21/02/2018, ora 18:37

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori