Lirohet biznesmeni i rrëmbyer 1 muaj më parë
Pronari i firmës “Gllareva”, Azem Morina, i cili ishte rrëmbyer nga persona të panjohur, është liruar dhe gjendja e tij shëndetësore është vlerësuar e mirë, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

Morina, i cili ishte rrëmbyer më 21 shtator në fshatin Gllarevë të komunës së Klinës, është liruar dje në orët e vona të natës, në Rajonin e Prishtinës.
Nëpërmjet një komunikate për media, Policia e Kosovës njofton se menjëherë pas raportimit të rastit të rrëmbimit kishte nisur hetimet, duke punuar me intensitet të shtuar lidhur me këtë rast, ku nga fillimi i hetimeve e deri me tani ka arritur të arrestojë gjashtë persona si të dyshuar të mundshëm.

Zëdhënësi i policisë Baki Kelani ka bërë të ditur se gjendja shëndetësore e Morinës është e mirë. Rrëmbimi i biznesmenit të kompanisë “Gllareva” ka ndodhur më 21 shtator të këtij viti. Policia e Kosovës është duke vazhduar hetimet lidhur me këtë rast, pasi mund të ketë arrestime tjera.

Hetimet për rrëmbimin e biznesmenit Morina, policinë e Kosovës e kanë quar në zbulimin e një rrjeti të madh të krimit të organizuar në rajonin Dukagjinit, në mesin e të cilëve edhe ish-trupërojat e liderit të AAK-së, Ramush Haradinajt. (albeu.com)
Shtuar më 31/10/2010, ora 19:30

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori