Linjat e autobusëve Prizren - Prishtinë në grevë
Pëlqej
Në mëngjesin e sotëm ka filluar greva e operatorëve transportues të linjës Prizren-Prishtinë.

Këta operatorë përmes një letre informuese kanë kundërshtuar vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës që nuk u lejon atyre kalimin në autostradë.

Ata kanë thënë se ky vendim ndikon në uljen e numrit të udhëtarëve dhe mund të krijojë probleme fizike ndërmjet operatorëve.

Këshilltari i Ministrit të Infrastrukturës, Pjetër Ndou, i kontaktuar nga KALLXO.com tha se Ministria ka të drejtën e shpalljes ose të mosshpalljes së nisjeve të lira duke u bazuar në kërkesat e qytetarëve për të pasur linja në këtë relacion.

“Duke u mbështetur në Ligjin nr.04/L-179 për Transportin Rrugor, Udhëzimin Administrativ nr.09/2013 mbi rrjetin e linjave dhe rendin e udhëtimit të transportit ndër-urban të udhëtarëve me autobus i plotësuar dhe ndryshuar me Udhëzimin Administrativ nr.06/2016 për rrjetin e linjave dhe rendin e udhëtimit të transportit ndër urban të udhëtarëve me autobus, Ministria e Infrastrukturës ka të drejtën e shpalljes apo mos shpalljes së nisjeve të lira, në rastin konkret duke u bazuar në kërkesat e qytetarëve për të pasur linja në këtë relacion për të ofruar cilësi në shërbime të transportit, komoditet si dhe arritje më të shpejt në destinacion, janë shpallur nisjet publike nr.2556 me datë 21.03.2018”, ka thënë Ndou.

Shoqata e Transportuesve “Kosova e lirë” nga Prizreni thotë se janë diskriminuar nga MI për shkak se ata i kanë lejuar vetëm një operatori transportues kalimin në autostradë.

“Ministri ka nxjerrë vendimin nr.5623 me anë të së cilit ia ka aprovuar kërkesën e operatorit transportues “ISPE Voyages” me seli në Prishtinë, për marrjen e nisjes së linjës Prizren- Prishtinë nëpërmjet autostradës me nisje në ora 07:00 dhe me kthim në ora 09:00”, thuhet në letrën informuese të shoqatës.
Por, Pjetër Ndou nga MI ka thënë se nuk kanë aplikuar të tjerë operatorë përveç “ISPE Voyage” andaj dhe i njëjti është pajisur me leje të udhëtimit.

“Sipas shpalljes së lartë cekur në relacionin Prizren – Sllatinë – Prishtinë (nisje ekspres nëpër autostradë) nuk ka pasur fare operator të cilët kanë aplikuar dhe është dashur që me vendim të anulohen shpalljet për të cilat nuk ka pasur operator të interesuar, përjashtimisht operatori “Ispe Voyage” i cili ka aplikuar dhe i ka plotësuar kushtet ligjore dhe i njëjti është pajisur me rend të udhëtimit”, ka thënë Ndou.
Shtuar më 16/08/2018, ora 17:11
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori