Dy subjekte politike të koalicionit qeverisës do t’i ndihmojnë opozitës që ta bëjë kuorumin në
seancën e jashtëzakonshme, në të cilën synohet të nxirret një rezolutë që ia ndalon presidentit të shtetit ta negociojë me Serbinë tërësinë territoriale të
Kosovës.
Pjesëmarrjen në
seancën e thirrur për 4 shtator e kanë
konfirmuar në Aleancën për Ardhmërinë e
Kosovës (AAK) dhe në Nismën Socialdemokrate (NSD).
Iniciativën e ndërmarrë nga opozita një ditë më parë kryeparlamentari Kadri Veseli, i cili është edhe kryetar i subjektit kryesor në pushtet, Partisë Demokratike (PDK), e ka kualifikuar si veprim absurd dhe krejtësisht të panevojshëm dhe ka theksuar se institucionet “nuk bëhen pjesë e skenarëve të errët, kauzave të rrejshme dhe seancave që nxisin tensione dhe panik”, shkruan sot “Koha Ditore”.
Por fjala e tij nuk ka mbërritur as tek partnerët me të cilët bashkëqeveris.
Muharrem Nitaj, deputet i AAK-së, parti që drejtohet nga kryeministri Ramush Haradinaj, ia ka
konfirmuar gazetës
pjesëmarrjen në
seancën që synon ta stopojë
iniciativën e presidentit Hashim Thaçi për t’i negociuar kufijtë e
Kosovës.
Shtuar më 29/08/2018,
ora 07:54