Meta: Ka pasur një lojë për të ndarë PD në dy pjesë që në vitin 2016, si e ndalova

Ilir Meta ka deklaruar në emisionin “Aktualitet” në Fax News se përpjekjet për ta ndarë PD-në në 2 pjesë ishin bërë që në miratimin e Reformës në Drejtës.

Pyetje: Na thoni dy fjalë për Reformën në Drejtësi, se ju e keni firmosur pa hezituar.

Presidenti Meta: Në këtë vend, nuk ka një individ, ku ndërkohë ka qenë në 2 institucionet kryesore më të larta të shtetit në këto 9 vite, siç është Ilir Meta, i cili para se të ishte në detyrën e Presidenti ishte prej 4 vjetësh në detyrën e Kryetarit të Parlamentit.
Nuk ka njeri më të përkushtuar, që e ka treguar me vullnet, me transparencë, me bashkëpunim interesin për t’iu përmbajtur asaj Reforme në Drejtësi, që kërkonin qytetarët shqiptarë. Të gjithë tashmë e dinë, që Reforma u kthye në Ramaformë dhe këtë gjë unë e kam thënë prej kohësh.
Drejtësia mori formën e zotit Rama, siç edhe ka marrë formën e tij çdo institucion tjetër në këtë vend.

Nuk është ajo drejtësia e pavarur që pritej, se po të ishte, Shqipëria nuk do të shkonte pikiatë në renditjen e Transparency International, Reporterëve pa Kufij dhe Listës së Investimeve.

Sepse në të kundërtën, 1 kilometër rrugë nuk do shkonte 6 herë më shtrenjtë sesa në Serbi dhe për këtë nuk ka asnjë arsye.
Kjo do të thotë 6 herë më shumë korrupsion dhe fiktivitet në projektet, që bëhen dhe normalisht i bie 6 herë më pak rrugë që, mund të ishin bërë gjatë kësaj periudhe.

Një pyetje për të gjithë, si u realizuan ato 140 vota? Meqenëse dhe po afrohet data 22 korrik, 6 vjet më parë? Ato u realizuan falë insistimit, vendosmërisë së Kryetarit të Kuvendit në atë kohë Ilir Meta dhe ky është fakt.

Atë kohë pati përpjekje për të bërë një lojë, për të bërë një kauzë, për ta ndarë që në atëherë Partinë Demokratike në dy pjesë.

Por, ishte Ilir Meta që vendosi digën dhe tha; që kjo gjë do bëhet me konsensus siç edhe kemi rënë dakord!

Kush po i bënte këto lojëra? Dihet edhe kush nuk erdhi, dhe Reforma u realizua dhe u bë shumë mirë në atë mënyrë sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias, për të cilat kishim rënë dakord.

Zbatimi i saj më pas dihet, që u bë tërësisht në kundërshtim me Kushtetutën, siç edhe u zgjodh edhe Prokurori i Përgjithshëm më 69 vota.

Historitë, që pasuan më pas dihen tashmë nga të gjithë.

Siç është janë vonesat për Gjykatën Kushtetuese, betimet te noteri te Lana.

Por Ilir Meta, gjithmonë u përpoq t’i parandalonte që Shqipëria, asnjë ditë mos të ngelte pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë.

Dhe të mos arrinim në këtë situatë, ku shpikim gjoja zgjidhje shkurtimin e gjykatave në të gjithë vendin.

Kjo do të thotë, që u bë gati i pamundur aksesi për qytetarët shqiptar edhe për çështjet më të thjeshta, që ata do të duhen ti drejtohen gjykatës për të kërkuar drejtësi, sepse kishte një interes për ta kapur drejtësinë.


Shtuar 22.06.2022 21:03